Haradinaj: S’ka shkëmbim territoresh me Serbinë

schedule17:43 - 26 Shkurt, 2019

schedule 17:43 - 26 Shkurt, 2019

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk pretendon t’i marrë territore Serbisë dhe as nuk ka ndërmend të lëshojë territoret e saj për të siguruar njohjen nga Beogradi. Në një konferencë për shtyp, Haradinaj ka nënvizuar se zërat për një ndryshim të kufijve në Ballkan janë agjendë e Rusisë.

Agjendë të Rusisë e konsideron kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pretendimet për hapjen e çështjes së kufijve në Ballkan. Ai ka përsëritur qëndrimin se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet vetëm pasi që të shohë në tavolinë të dialogut Kontratën për njohje të dyanshme.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: “Jemi për t’u rikthyer dialogu pa e lidhur me taksën. Hapja e kësaj çështje është agjendë e Vladimir Putinit që të mbahet Ballkani hapur. Askush s’garanton kur hapet kufiri se çka ndodh me të. S’është vetëm hapje e mbyllje. Hapen kriza e tragjedi në rajon”.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova nuk ka pretendime territoriale duke komentuar kështu deklaratën e presidentit Thaci për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: “S’di çfarë konteksti ka shpjeguar presidenti Luginën e Preshevës, por me kushtetutën tonë s’kemi pretendime territoriale e as nuk e kërkojmë njohjen për të dhënë territor. Nëse ky është çmimi, s’kemi nevojë për njohje, mund të presim ende. Mundemi pa marrëveshje”.

Kryeministri Haradinaj ka prezantuar para gazetarëve një hartë prej 381 kilometrash katrorë të vijës kufitare Kosovë-Serbi. Ai tha se me vendim të Gjykatës ndërkombëtare këta janë kufij të Kosovës të respektuar edhe nga Serbia. /abcnews.al