Vazhdojnë bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore

schedule10:49 - 8 Shkurt, 2022

schedule 10:49 - 8 Shkurt, 2022

Bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore në mes të Iranit dhe fuqive botërore, do të rinisin më 8 shkurt në Vjenë, në kohën e paralajmërimeve nga Teherani se heqja e sanksioneve amerikane përbën “linjë të kuqe” për të zbatuar paktin sërish.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se marrëveshja mund të arrihet me Iranin, mirëpo ajo duhet të arrihet me urgjencë, pasi Teherani është duke avancuar ndërkohë kapacitetet atomike.

“Është në horizont një marrëveshje që adreson shqetësimet e të gjitha palëve, mirëpo nëse ajo nuk arrihet brenda javësh, avancimi bërthamor i Iranit, do ta bëjë kthimin të pamundur për ne”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Rikthimi i negociatave, të cilat janë ndalur më 28 janar, duke iu mundësuar diplomatëve kthimin në shtëpi për konsultime, është bërë i ditur nga Bashkimin Evropian.

Më 2015, Teherani ka arritur marrëveshje me fuqitë botërore për kufizim të aktivitetit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Mirëpo ish-presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja më 2018 dhe ka rikthyer sanksionet, duke bërë që Irani gradualisht t’iu shmanget zotimeve të bëra në marrëveshje.

Palët kanë mbajtur tetë runde të negociatave në Vjenë – prej prillit të vitit të kaluar – me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.

“Çështja e heqjes së sanksioneve dhe ajo që Irani të përfitojë nga kjo gjë, përbëjnë vijë të kuqe për Iranin në bisedime”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, në një konferencë për media në Teheran më 7 shkurt.

Uashingtoni ka njoftuar më 4 shkurt se ka rikthyer disa masa kundër sanksioneve – të hequra nga Trump – hap që sipas Teheranit ka qenë i pamjaftueshëm.

“Uashingtoni ka vendosur të marrë një hap që nuk ka ndikim në situatën ekonomike të Iranit… një qeveri e përgjegjshme (amerikane) duhet të kthehet në marrëveshje dhe të zbatojë obligimet”, ka thënë Khatibzadeh./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!