Sali Berisha ka prezantuar paraditen e së dielës në Njësinë Administrative Sukth kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për Durrësin, Ardian Muka. Ndërsa theksoi se është një kandidat i zgjedhur nga vetë demokratët, ish-kryeministri Sali Berisha tha se Muka ka arritur aty ku është me punë dhe se i beson plotësisht pikërisht sepse u zgjodh nga anëtarësia.
“Ka qëndruar në ato parime dhe ideale që beson. Unë i besoj plotësisht sepse e zgjodhët ju. Të gjithë u zgjodhën nga ju. Rroftë liria.”
Lideri historik i demokratëve tha se dyert e primareve ishin edhe për kandidatin e Bashës, Luan Hotin, por shton ai, Hoti nuk e donte votën.
“Ju siguroj se dyert për primare ishin të hapura edhe për Luan Hoti, por ai nuk donte votën. Kishte frikë nga vota juaj. Zgjodhi të ishte kandidat i Lul Bravës. Ju ftoj, banorët e kësaj treve, më 6 mars, çdo votë për kandidatin e lirisë, Ardi Mukën. Vota për kandidatin e Edi Ramës dhe peshkaqenit më të madh që ka parë gjiri i Durrësit, Gjush Dakës…është vota më e humbur, drejt të shkuarës, për varfërinë.”
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Durrësit që të mos e çojnë dëm votën e tyre duke votuar kandidatin e Bashës apo të Ramës, pasi sipas tij në të dyja rastet, vota shkon për Ramën.
“Asnjeri të mos i lejojë vetes një gabim të tillë. Vota për kandidatin e Lul Bravës është fiks për Ramën dhe pushtetin e tij…Vota për Bashën është si ta hedhësh në një pus të zi, sepse është vetëm humbës.”
Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, për Durrësin do të garojë Ardian Muka nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, Luan Hoti, kandidat i PD-së dhe kandidatja e PS-së, Emirjana Sako, aktualisht kryetare në detyrë. /abcnews.al/