Dhuna gjatë protestës në Tiranë ka shkaktuar dëme në biznese dhe prona private, duke nxitur reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Kryetari i këtij institucioni, Nikolin Jaka, ka dënuar shkatërrimin e pronës private, duke theksuar se protesta është një nga mënyrat përmes së cilave qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre, por dhuna nuk duhet të jetë mjeti për të arritur qëllimet.
“Protesta është ndoshta i vetmi zë qytetar, por a është ky mjeti për ta rritur këtë qëllim, kjo mbetet për t’u parë. Shkatërrimi i pronave private, precedent penal”, u shpreh Jaka.
Dëmtimet e bizneseve gjatë tubimit kanë rikthyer vëmendjen te pasojat ekonomike të akteve të dhunës dhe siguria e pronës private.
Reagimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vë në fokus nevojën që e drejta për protestë të ushtrohet pa cenuar pronën dhe aktivitetin e bizneseve.


