Austria nëshkruan ligjin për vaksinim të detyrueshëm

schedule16:34 - 4 Shkurt, 2022

schedule 16:34 - 4 Shkurt, 2022

Presidenti i Austrisë ka nënshkruar të premten (4 shkurt) një ligj që e bën vaksinimin kundër COVID-19, të detyrueshëm për të gjithë të rriturit.

Ky ligj është i vetmi i këtij lloji në Bashkimin Evropian.

Ligji vlen për të gjithë të rriturit, përveç grave shtatzëna dhe personave që përjashtohen nga vaksinimi për arsye mjekësore.

Ata që refuzojnë vaksinimin mund të dënohen me një gjobë prej 3,600 eurosh pas mesit të marsit.

Presidenti Alexander Van der Bellen nëshkroi ligjin pasi Parlamenti e miratoi atë.

Ligji u publikua në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi të shtunën.

Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm në protesta të rregullta gjatë fundjavave në gjithë vendin, që kur kjo masë u paralajmërua në nëntor të vitit 2021.

Por ligji ka një mbështetje të gjerë politike – me të gjitha partitë, përveç të djathtës ekstreme – në një përpjekje për të rritur shkallën e vaksinimit të vendit.

Aktualisht, 69 për qind e banorëve austriakë kanë certifikata se janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit – duke përfshirë dozat përforcuese.

Austria ka parë deri më sot më shumë se 14,000 vdekje të lidhura me COVID-19 dhe afër 2 milionë raste në një popullsi prej nëntë milionësh.

Vaksinimet e detyrueshme kundër COVID-19 janë të rralla edhe pse Ekuadori, Taxhikistani, Turkmenistani, Indonezia dhe Mikronezia kanë prezantuar skema të tilla. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!