“Mbretëresha Geraldinë”, Meta i bën kërkesë për bashkëpunim Lindita Nikollës

schedule14:30 - 1 Shkurt, 2022

schedule 14:30 - 1 Shkurt, 2022

Presidenti Ilir Meta do t’i kërkojë bashkëpunim së Kuvendit Lindita Nikolla për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”. Kjo kërkesë e Metës vjen në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorit të rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore shqiptare.

Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorit të rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore shqiptare kam vendosur t’i kërkoj bashkëpunimin  Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.

Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar.

Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e  kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian”, shkruan Meta. /abcnews.al