Fushatës së mbjelljeve të Bashkisë së Tiranës iu bashkuan dhe administratorët e zgjedhur të pallateve. Kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje qyetarëve që ende nuk kanë një administrator, të përfundojnë procesin që ndihmon në zgjidhjen e problematikave të tyre.
Nëse banorët e pallateve në Tiranë nuk zgjedhin administratorin atë do jua caktojë bashkia. Mbyllja e këtij procesi në të gjithë kryeqytetin sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj sjell më shumë rregull në administrimin e problemeve të qytetarëve.
“U jam sot shumë mirënjohës të gjithë kolegëve që kanë punuar që Tirana të jetë kryesisht e mbuluar me administratorë. Nëse ka banorë që ende nuk e kanë, nxitoni ta zgjedhim! Nëse nuk e zgjidhni dot, mund t’ua caktojë Bashkia, por e rëndësishme është që çdo shtëpi të ketë një zot dhe jam shumë i lumtur sot që gjithë ky grumbull pallatesh te “Komuna e Parisit” ka një administrator, një zot, pastërti dhe thirrja për banorët është: Administratori nuk është vetëm roja i derës, por është roja e derës, kamera, ashensori, pastrimi, ndriçimi dhe në raste si ky i sotmi, edhe gjelbërimi dhe krijimi i një miniparku dhe i një minilulishteje përballë pallatit”.
Veliaj e bëri këtë apel pas aksionit të mbjelljeve pranë Komunës së Parisit ku fushatës së ndërmarrë nga bashkia iu bashkuan dhe administratorë të zgjedhur të pallateve. Kryebashkiaku kërkoi mbështetjen e tyre për vijimin e aksionit deri më 22 Prill./abcnews.al