Kastrioti do të përballet me Vllazninë në Kamëz në orën 13:45, sfidë kjo e vlefshme për javën e 18-të të Abissnet Superiores.
Shkodranët do kërkojnë kthesën ndaj krutanëve pas 4 javëve me barazime, ndërsa Kastrioti nga ana tjetër do kërkojë pikët jetike për të shpresuar deri në fund pastaj për mbijetesën.
Në konferencën për shtyp, trajneri Emiliano Çela ka folur për takimin kundër Vllaznisë dhe rëndësinë që ka kjo sfidë për skuadrën e tij.
Trajneri Çela ka besim te grupi dhe ruajtja e ecurisë pozitive që kanë arritur në dy javët e para të 2022-shit.
“Shpresojmë të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Hyzmetin ia kemi bërë, kemi punuar fort. Kjo javë ka qenë më e gjatë për ne. Jemi munduar t’i shpërndajmë ngarkesat në mënyrën e duhur.
Shpresoj të vazhdojmë me rezultate të mira dhe të rritim nivelin e lojës gjatë gjithë kohës. Jam i bindur se nëse veprojmë mirë në këtë ndeshje, nëse kemi disiplinë dhe rrimë në ekuilibër, mendoj se patjetër do të marrim një rezultat të mirë.
E kam parë Vllazninë dhe sinqerisht mendoj se është një nga ekipet që luan më mirë futboll në vendin tonë. Është një ekip që e ka automatizuar mjaft mirë mënyrën e lojës, është një ekip që luan poshtë, del mirë në sulm.
Do të kemi shumë punë për të bërë, është ndeshje e vështirë për ne”, u shpreh fillimisht trajneri Çela. Në lidhje me formacionin dhe gjendjen e skuadrës, Emiljano Çela u shpreh:
“Me përjashtim të Hasanit, që nuk e dimë se si do të shkojë deri ditën e ndeshjes, të gjithë lojtarët e tjerë gëzojnë formë të mirë. Falë Zotit gjatë këtyre ditëve janë bërë 15-16 lojtarë që unë i trajtoj të gjithë njëlloj dhe i shikoj si lojtarë formacioni”, ka theksuar tekniku i krutanëve.
Për shkak të dëmtimit, Adolf Selmani është mungesa e sigurt në këtë takim, por së fundmi edhe Edon Hasani ka patur shqetësime dhe është në dyshim për Vllazninë. /f.a/abcnews.al

