Mogherini e Hahn për protestën: Të ketë diskutime konstruktive qeveri-opozitë

schedule10:47 - 21 Shkurt, 2019

schedule 10:47 - 21 Shkurt, 2019

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn kanë reaguar nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri e për protestën e organizuar nga opozita.

“Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri sot, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë.

Për më tepër, vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të zhvillohen, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat nxitëse.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, përfundon deklarata e përbashkët e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogerini dhe komisionerit për zgjerim Johannes Hahn./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!