Kryedemokrati Lulzim Basha nga Korça foli për përplasjet brenda Partisë Demokratike duke akuzuar palën tjetër se ka mbledhur bashkë një grup përfituesish për hir të interesave të tyre personale. Basha deklaroi se ata duan të asgjësojnë të vetmen shpresë të shqiptarëve për ndryshim dhe sipas tij për ta bërë këtë nuk kursejnë asgjë.
“Brenda familjes sonë kanë dalë një pakicë përfituesish nga sakrificat e demokratëve dhe për hir të interesave të tyre duan të shkelin mbi interesat e demokratëve. Duan ta asgjësojnë të vetmen shpresë të shqiptarëve për ndryshim. Për të bërë këtë nuk kursejnë asgjë ndaj demokratëve. Kanë shkuar edhe më larg se kundërshtari politik me gënjeshtra dhe shpifje.
Lexo edhe: Pas takimit me demokratët, Basha ecën në pedonalen e Korçës, momenti kur fiken dritat
Kujt i shërbehet në këtë mënyrë?! A nuk duhet të buçiste sot Shqipëria nga zemërimi sepse vetëm para dy ditësh i pari i Shqipërisë ka dalë nga vendi me Charter, që kushton minimumi 120 mijë euro. Duan të harrohet afera e inceneratorëve. Trekëndëshi i Bermudës bën teatër që të mos u tregojmë të vërtetat shqiptarëve. Sa herë kam qenë këtu kur bukuria e rinisë shqiptare”, tha Basha.
Ai tha se nuk do tërhiqet për asnjë moment duke shtuar se sharjet dhe shpifjet e bëjnë më të fortë.
“Nuk tërhiqem as një hap pas. Sharjet që bëjnë ndaj demokratëve të sakrificës, për të vjedhur shqiptarët. Le t’i bëjnë 10-fish ndaj meje. I pranoj. Më të fortë më bëjnë që ta çoj PD drejt Europës. U kërkoj falje atyre që na ndjekin dhe t’u shpjegoj që nuk ka arsye tjetër për ngritjen e zërit për shkak se ky entuziazëm më rrëmben edhe mua. E di që mesazhi dëgjohet. Ky entuziazëm më rrëmben edhe mua. Dua ta them me zë të qartë dhe të prerë. Nuk ka asnjë hap pas në këtë mision për të zgjedhur të ardhmen. Sepse një hap pas do të thotë t’i biesh ndesh shpresës së shqiptarëve.
Ndaj është kjo detyrë që e kam pranuar dhe e pranoj me përulje dhe vetëdije. Këtë sakrificë e bëjmë për Shqipërinë dhe fëmijët e shqiptarëve. Ne kemi një detyrë, të jemi më të qartë se kurrë më parë. Ata kanë për armë të ligat e botës, gënjeshtrat, shpifjet. Ata kanë institucionet. Ata nuk kanë zemrat e shumicës së shqiptarëve. E vërteta është me ne. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të flasim këtë të vërtetë. Si i ndryshojnë historitë sepse të mbash një gënjeshtër në këmbë nuk është e lehtë. Në partinë tonë do të ketë gjithmonë vend për mendimin ndryshe. Po. Për mendimin kundërshtues. Kjo është kultura politike, europiane. Unë e di që po gjeni brenda jush sërish forcën dhe vlerat për këtë kulturë qytetare’, u shpreh Basha.
Ai bëri ftesë për rikthim në PD të atyre që janë vendosur në krah të Berishë. “Zemrat tona janë të hapura për këdo edhe nga ata që nuk e kanë kartën e PD, profesorë, intelektualë, sportistë, sipërmarrës, të rinj të reja. Mbi të gjitha janë të mirëseardhur demokratët e sakrificës që mund ta kenë humbur rrugën për pak kohë për shkak të interesave personale të një njeriu të vetëm”. /abcnews.al