Veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi ka thënë se është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Express.
Lushi ka shkruar në Twitter se ukrainasit sot po e përjetojnë të njëjtin kërcënim sikur shqiptarët e Kosovës në vitet ’90.
“Koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tani ukrainasit duke e përjetuar të njëjtin kërcënim dhe dhimbje të agresionit rus duhet të kuptojnë pse shqiptarët e Kosovës duhej të çliroheshin nga korniza e Serbisë”, shkroi ai, duke e përmendur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë të dielën se qëndron me Ukrainën, e cila është në pritje të një sulmi nga Rusia.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter të shtunën, ka treguar se cili është pozicioni i Kosovës rreth konfliktit që mund të ndodhë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.
“Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”, ka shkruar Osmani, duke shpërndar një “tweet” të MPJ-së së Ukrainës, ku tregohet se si forcat ruse janë mbledhur rreth kufijve.
SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën, ndërsa tashmë ka shtuar numrin e forcave ushtarake pranë kufirit dhe ka rreshtuar shumë automjete ushtarake, gati për luftë.
Ukraina ka qenë pjesë Bashkimit Sovjetik deri më 1991 kur edhe u shpërbë shteti në të cilin ndodhi Revolucioni i Kuq i Tetorit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë një popull, ndërsa liderët e shtetit të Ukrainës, sipas Putinit, po drejtojnë një projekt “anti-rus”.
Këto dy shtete kanë pasur konflikt edhe më herët. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi Krimenë – Krahinë e Ukrainës deri në atë kohë.
Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, lidhur me konfliktin që mund të ndodhë së shpejti – sipas situatës aktuale – ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën do të ketë sanksione të mëdha, megjithatë ka bërë me dije se SHBA nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt./ Gazeta Ekspres