Qysh atëherë Rusia është përpjekur të zhvillojë sistemin e saj të transfertave financiare, me sukses të kufizuar.
Shtetet e Bashkuara kanë arritur më parë të bindin sistemin SWIFT që të përjashtojë një vend, Iranin, për shkak të programit të tij bërthamor.
Por përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT do të dëmtonte gjithashtu ekonomitë e tjera, duke përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të saj kryesor, Gjermaninë. Ligjvënësit amerikanë thanë javën e kaluar se administrata e Presidentit Biden është ende duke analizuar pasojat negative të këtij veprimi. Ministrja e jashtme e Gjermaninë, Annalena Baerbock, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga sistemi SWIFT, shprehu dyshime për efektshmërinë e një veprimi të tillë.
“Shkopi më i fortë nuk është gjithmonë arma më inteligjente”, tha zonja Baerbock.
NDËRPRERJA E QASJES TEK DOLLARI
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një nga armët më të fuqishme financiare për të përdorur kundër Putinit nëse ai e pushton Ukrainën, atë të bllokimi të qasjes së Rusisë tek dollari amerikan.
Dollari ende dominon transaksionet financiare në mbarë botën, transaksionet ditore arrijnë në triliona dollarë.
Transaksionet në dollarë amerikanë përfundimisht miratohen përmes Rezervës Federale ose institucioneve financiare amerikane. Kjo do t’ia vështirësonte Putinit qasjen në sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara, duke eliminuar mundësinë për të bërë pagesat në dollarë.
Presidenti Biden u ka thënë gazetarëve se heqja e aftësisë së Rusisë dhe rusëve për të bërë transaksione me dollarë amerikanë është një nga opsionet që Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar. Ndryshe nga përjashtimi nga sistemi SWIFT dhe masat e tjera financiare, ndërpreja e qasjes tek dollari është një masë që Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë të vetme. Shumë rusë dhe kompani ruse do të pengoheshin në kryerjen madje edhe të transaksioneve më rutinë, si listat e pagave ose blerja e gjërave, sepse nuk do të kishin qasje në sistemin bankar të Shtetevet të Bashkuara.
KONTROLLET MBI EKSPORTIN
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kontrolleve ndaj eksportit, duke ia hequr Rusisë qasjen tek teknologjia dhe programet e sofistikuara që ndihmojnë trafikun e avionëve luftarakë, atë të pasagjerëve, tabletave, video-lojrat dhe televizorët e sofistikuar.
Kjo mund të përfshijë futjen e Rusisë në grupin më kufizues të vendeve për qëllime të kontrollit të eksportit, duke e radhitur atë me Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë, thanë zyrtarët.
Sanksione të tilla mund të vënë në shënjestër edhe industritë kritike ruse, duke përfshirë sektorët e saj të mbrojtjes dhe të aviacionit civil, gjë që do të godiste ambicjet e teknologjisë së lartë të Rusisë, si inteligjenca artificiale dhe informatikën kuantike.
TREGU I AKSIONEVE
Administrata e Presidenti Biden kufizoi aftësinë e Rusisë për të marrë hua duke i ndaluar institucionet financiare amerikane të blejnë bono thesari të qeverisë ruse drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore vitin e kaluar. Por sanksionet nuk goditën tregun dytësor, duke e lënë këtë si një hap të mundshëm të ardhshëm.
GAZSJELLËSI NORDSTREAM 2
Republikanët dhe demokratët në Kongres luftuan për vite me radhë kundër zgjerimit të gazsjellësit të ri rus Nord Stream 2 drejt Gjermanisë, duke argumentuar se ai do ta ndihmonte Rusinë të përdorte kontrollin e furnizimit me gaz si një mjet për të arritur synimet e politikës së saj në Evropë. Projektligjet rivale në Kongres do të vendosnin sanksione ndaj operatorëve të gazsjellësit. Republikanët duan të vendosin sanksionet menjëherë, por demokratët thonë se kjo duhet bërë vetëm nëse Rusia e sulmon Ukrainën.
Administrata e Presidentit Biden më parë ka hezituar të vendosë sanksione të këtij niveli për të shmangur përplasjen me Gjermaninë aleate.
Zyrtarët gjermanë thonë se bllokimi i funksionimit të gazsjellësit nëse Rusia hyn në Ukrainë mund të jetë një alternativë nëse Rusia e pushton Ukrainën, por ata nuk kanë dhënë hollësi të tjera për këtë në komentet e tyre publike.
OLIGARKËT DHE E DASHURA E PUTINIT
Një nga taktikat më të përdorura të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara është vendosja e sanksioneve ndaj rrethit të ngushtë të udhëheqësve, familjeve dhe qarqeve ushtarake dhe civile. Putini, miqtë dhe familja e tij mund të përballen gjithashtu me këtë taktikë, së bashku me oligarkët e fuqishëm të biznesit në Rusi dhe bankat e tyre.
Projekt-ligji gjithëpërfshirës i propozuar nga ligjvënësi republikan i Indianës, Jim Banks, i përkrahur nga gati 40 ligjvënës të tjerë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, do të fillonte me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë edhe përpara një sulmi tjetër rus ndaj Ukrainës, duke përfshirë përjashtimin nga sistemi financiar SWIFT dhe sanksionet që lidhne me gazjellësin Nord Stream 2.
Masat e parashikuara në projekt-ligjin republikan përfshijnë vendosjen e sanksioneve ndaj më shumë zyrtarëve të lartë të Rusisë, familjes së presidentit rus dhe një grua që njoftohet se ka lidhje romantike me zotin Putin, Alina Kabaeva, e cila fitoi medaljen e artë në gjimnastikë në lojrat olimpike të vitit 2004. /VOA