Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ka komentuar në studion e Mbrëmje në ABC News vendimin e opozitës për djegien e mandateve. Sipas saj arsyeja e opozitës është ilegjitime dhe e papranueshme, në një kohë kur duhet të punonte për programin dhe lidershipin, që të fitonte zgjedhjet.
“Nuk i kuptojmë arsyet dhe s’duam të spekulojmë mbi arsyet e fshehura. Arsyeja që gjen Basha është krejtësisht e papranueshme, ilegjitime. Kemi një opozitë që nuk ka bërë përpjekje minimale për të krijuar ekip solid për të pasur një program për të fituar zgjedhjet, që do ishte aksioni normal për të fituar zgjedhjet. Jemi para hapjes së negociatave dhe ka zgjedhur ta bojkotojë këtë”.
Spiropali thekson se mazhoranca është në të drejtën e saj për të qeverisur, ndërsa sipas saj kreu demokrat Lulzim Basha ndodhet në presion edhe brenda partisë së tij, nisur edhe nga gjuha që përdor. Ajo i kujton Bashës se duhet të kuptojë që pushteti nuk bie nga qielli dhe as nuk merret në tavolinë.
“Basha është në presion brenda partisë së tij, presion nga Berisha dhe elementë të tjerë për të vepruar në mënyrë radikale dhe gjuha është e papranueshme, nuk është gjuhë politike, për tërheqje zvarrë, plumb ballit, kamikazllëk dhe ajo që po bëjnë është lodhja e njerëzve.
Basha duhet ta kuptojë që pushteti nuk bie nga qielli, nuk merret në tavolinë. Koha e pazareve politike ka marrë fund. Jemi legjitimë në të drejtën tonë për të qeverisur. Kërcënimet me djegie mandatesh janë të papranueshme në një vend normal”. /abcnews.al