Refuzimi i Gjermanisë për t’i ofruar armë Ukrainës, ndryshe nga anëtarët e tjerë të NATO-s, ka irrituar disa aleatë dhe ka ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Berlinit për t’i dalë kundër Rusisë.
Kjo çështje u vu në qendër të vëmendjes gjatë fundjavës pas një njoftimi se Berlini kishte arritur deri aty sa të mos lejonte Estoninë që të dërgonte avionë të vjetër gjermanë në Kiev për ta ndihmuar në mbrojtjen përballë trupave ruse që janë grumbulluar në masë pranë kufirit ukrainas.
Qëndrimi i Gjermanisë lidhur me furnizimet me armë “nuk është në përputhje me nivelin e marrëdhënieve tona dhe situatën aktuale të sigurisë,” tha në Twitter Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Duke folur me gazetarët të hënën në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz mohoi të ishte marrë një vendim për avionët dhe këmbënguli se vendi i tij është në krah të aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në kundërshtimin ndaj çdo inkursioni rus në Ukrainë.
“Nëse kjo ndodh, ne do të veprojmë së bashku,” u tha ai gazetarëve. “Do të kishte një kosto të lartë.”
Por ai tha se megjithëse Gjermania do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Ukrainën, do të kishte një përjashtim:
“Ne nuk ofrojmë asnjë armë vdekjeprurëse.”
Ky qëndrim, i kritikuar në Kiev dhe në një farë mase në Uashington dhe Londër, ka shkaktuar shqetësim tek disa në Gjermani që thonë se vendi i tyre mund të mos konsiderohet si një partner i besueshëm.
“Politika jonë e paqartë lidhur me Ukrainën dëmton jo vetëm Gjermaninë por të gjithë BE-në?” thotë Wolfgang Ischinger, ish-ambasadori i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara, aktualisht kreu i Konferencës vjetore të Sigurisë në Mynih.
Ekspertët thonë se pozicioni i Gjermanisë i atribuohet pjesërisht historisë së saj të agresionit gjatë shekullit të 20-të.
“Është e qartë që trashëgimia e militarizimit të vetë Gjermanisë në Evropë gjatë dy Luftërave Botërore, ka bërë që shumë udhëheqës gjermanë ta shohin çdo përgjigje ushtarake si alternativën e fundit,” thotë Rachel Ellehuus, zëvendësdrejtore e programit për Evropën, Rusinë dhe Euroazinë në Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
Por ky qëndrim mund të japë efektin e kundërt në këtë rast, tha ajo. “Qeveria aktuale nuk duket se po e kupton që dërgimi i armëve mbrojtëse në Ukrainë mund të frenojë në fakt agresionin e mëtejshëm rus.”
Dhe ndërsa Gjermania ka përmendur pozicionin e saj për të mos eksportuar armë në zonat e konfliktit në të kaluarën, analistët thonë se ky rregull nuk është zbatuar gjithmonë.
“Ka pasur gjithmonë përjashtime, si lufta e Kosovës ose mbështetja për kurdët kundër ISIS-it në Siri,” thotë Sabine Fischer, një eksperte për Rusinë në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Debati mbi armët gjermane po ndodh disa ditë pasi kreu i marinës gjermane dha dorëheqjen pas kritikave brenda dhe jashtë vendit për komentet lidhur me Ukrainën dhe Rusinë. Duke folur të premten në Indi, zëvendësadmirali Kay-Achim Schoenbach tha se ishte e rëndësishme që Rusia të ishte në krah të BE-së kundër Kinës dhe sugjeroi që presidenti rus Vladimir Putin meritonte “respekt”.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e bëri të qartë se megjithë shqetësimet për eksportimin e armëve në Ukrainë, Berlini e sheh me shqetësim qëndrimin e Rusisë.
“Javët e fundit, më shumë se 100,000 trupa ruse me tanke dhe armë janë grumbulluar pranë Ukrainës pa ndonjë arsye të kuptueshme. Dhe është e vështirë që kjo të mos shihet si kërcënim,” tha ajo gjatë një vizite në Moskë.
Duke folur së bashku me homologun e saj rus, ajo paralajmëroi se Gjermania ishte e gatshme të konsideronte hapa të ashpër nëse Rusia vepron kundër Ukrainës.
Kjo përfshin vënien në pikëpyetje të së ardhmes së gazsjellësit Nord Stream 2 që synon të sjellë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.
Një veprim i tillë kundër furnizuesit të saj më të madh të energjisë do të kishte një çmim të lartë edhe për Gjermaninë.
Duke pasur parasysh planet për të mbyllur tre termocentralet e saj të fundit bërthamore këtë vit dhe për të eliminuar përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030, varësia e Gjermanisë nga gazi do të rritet në të ardhmen e afërt derisa të ketë sasi të mjaftueshme energjie të rinovueshme, thotë Georg Zachmann, i Institutit ekonomik të Bruegelit në Bruksel.
Megjithatë, zyrtarët gjermanë besojnë se fakti që vendi i tyre është një klient me peshë për gazin rus, mund t’i japë ndikim, pasi Moska nuk do të dëshironte të dëmtonte reputacionin e saj si një furnizues i besueshëm.
Por fqinjët e Gjermanisë nuk janë të bindur se kjo taktikë do të funksionojë.
“Për gati tre dekada, Gjermania ka nxitur një qasje më përfshirëse ndaj Rusisë bazuar në politikën e ndryshimit përmes tregtisë. Por kjo nuk e ndryshoi Rusinë,” thotë Slawomir Debski, drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Varshavë të Polonisë.
Por ai shton se as mospërputhjet mes aleatëve të NATO-s dhe BE-së nuk ndihmojnë.
Nëse Berlini preferon të fokusohet tek presioni ekonomik ndaj Moskës, ndërsa të tjerët ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën, një qasje e tillë mund të funksionojë, thotë zoti Debski, “me kusht që të jetë pjesë e një strategjie dhe një objektivi final për të cilin aleatët të kenë rënë dakord”.
Të hënën në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, ministrja Baerbock tha se përparësia e qeverisë gjermane është të zbusë tensionet rreth Ukrainës.
“Berlini do të duhet të përballet me kritikat që vijnë nga Ukraina, vendet e tjera evropiane dhe Uashingtoni,” thotë eskpertja Fischer. “Në të njëjtën kohë, Gjermania mbetet një lojtare e rëndësishme në negociatat rreth konfliktit ruso-ukrainas dhe parashikoj se do të vazhdojë të mbështesë sanksionet dhe masat e tjera në të ardhmen.”/ VOA