Familja Lekgjinaj në Lezhë ka hapur sot dyert e mortit pasi një adoleshent mori hak për vrasjen e të atit në vitin 2009. Ngjarja tronditëse ndodhi ditën e djeshme kur Florian Pervathi me një pistoletë me mulli, iku pranë banesës së Lek Lekgjinajt dhe e qëlloi atë për vdekje me disa plumba.
Kanë kaluar shekuj, por Kanuni i Lek Dukagjinit vijon të gjejë hapësira.
Liljana Luani, mësuese e fëmijëve të ngujuar dhe Pjetër Gjoka, pajtues gjaqesh në Lezhë bien në një mendje që duhet bërë shumë punë jo vetëm me familjet e ngujuara por edhe me familjet e dëmtuara.
Mësuesja Luani u shpreh se pushka që ra dje në Lezhë duhet të shërbejë që të çohemi të gjithë dhe t’i japim fund situatës. Ajo thotë se mungesa e drejtësisë dhe dënimi minimal i personave që bëjnë vrasje, i shtyn familjet që të bëjnë vetëgjyqësi.
“Të pastrohet sistemi i drejtësisë nga gjykatës e prokurorë të korruptuar, kjo situatë mund të zgjidhet me politika të mira…I kishin vra babën dhe ishte rritur me mendimin që duhej të merrej hak. Duhet punuar fort me të dyja palët. Diskutimet që dëgjojnë në familje, diskutohen në sy të djemve që pasi kalojnë adoleshencën quhen burra.”
Rëndësi të madhe, siç u shpreh dhe mësuesja e fëmijëve të ngujuar ka edhe integrimi i nënave të familjeve të prekura. Kjo pasi ato janë në një farë mënyre mësueset e para që i edukojnë fëmijët me frymën e tolerancës ose me të kundërtën.
“Duhet punuar fort me nënat e këtyre familjeve. Janë mësueset e para, ose i edukojnë me tolerancë ose i nxisin të marrin hak. Duhen integruar, duhen punësuar.”
Kurse, Pjetër Gjoka u shpreh se ajo që ndodhi dje në Lezhë është një mësim i madh edhe për misionarët e pajtimeve. Ai shpjegoi se autori i vrasjes në vitin 2009 ka disa vëllezër, por ishte Lek Lekgjinaj ai që mori plumbin pasi jetonte pranë familjes së viktimës.
“Janë disa vëllezër, por ky e ka pasur shtëpinë afër. Baba i Lekës ka qenë misionar i pajtimit të gjaqeve, një burrë me za, një burrë që na ka ndihmuar në misionin tonë të pajtimit. Po ja që edhe atij i ndodhi.”
Por çfarë do të ndodhë tani, a quhet gjaku i larë dhe kjo histori mund të konsiderohet e mbyllur?
Pjetër Gjoka shpreson se kjo histori mund të mbyllet këtu. Kemi të bëjmë me gjakmarrje, dhe në një farë mënyrë “gjak për gjak” kjo çështje mund të quhet e mbyllur.
“Shpresojmë të mos kemi më pasoja. Gjak për gjak, quhet e mbyllur. Nuk ka pse vazhdohet më tej. Do të bëjmë ç’është e mundur që të sigurohemi që s’do të ketë probleme në të ardhmen. Në Lezhë kemi 33 familje të ngujuara, por fëmijë të ngujuar nuk kemi.” /abcnews.al/