Hasmëria mes fiseve Mhillaj dhe Mujeci, që dyshohet se kulmoi me atentatin e ndodhur sot në qendër të fshatit Balldren me vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, e ka zanafillën në tetor të vitit 2016, nga një konflikt i çastit për motive banale.
Sipas të dhënave, gjithçka nisi kur viktima e vitit 2016, Genc Mhillaj, kishte lënë automjetin e tij në rrugën kryesore në qendër të fshatit Torovicë, duke bllokuar kalimin e mjeteve të tjera. Në atë moment, një automjet ku udhëtonin anëtarë të fisit Mujeci ka mbërritur në vendngjarje dhe i ka kërkuar të zhvendoste makinën për të vijuar rrugën drejt banesës së tyre.
Fillimisht, Mhillaj ka hezituar të lëvizte automjetin, duke i detyruar të presin. Debati mes palëve është përshkallëzuar dhe situata ka agravuar kur ai ka goditur me shuplakë një nga të rinjtë e fisit Mujeci. Pas këtij episodi, rruga është hapur dhe palët janë larguar, por konflikti kishte marrë një kthesë të rrezikshme.
Të rinjtë e fisit Mujeci i kanë kërkuar më pas Genc Mhillajt që të kërkonte falje për incidentin, por ai nuk ka pranuar. Ditët në vijim, ai ka vijuar aktivitetin e tij të përditshëm, duke lëvizur me kamionçinën që përdorte për transport mielli.
Ngjarja mori një kthesë tragjike kur, gjatë një lëvizjeje me këtë mjet, Genc Mhillajt i është bërë pritë. Sipas hetimeve të kohës, dyshohet se në vendngjarje kanë qenë Kreshnik Mujeci, vëllai i tij Lin Mujeci dhe një i afërm i tyre, Jozef Mujeci. Ata dyshohet se e kanë ndaluar për t’i kërkuar sqarime, por debati ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Mhillaj ka tentuar të largohet me vrap, por ndaj tij është qëlluar me breshëri automatiku, duke mbetur i vrarë në vend.
Pas ngjarjes, policia arrestoi fillimisht Jozef Mujecin, ndërsa një vit më vonë edhe vëllezërit Lin dhe Kreshnik Mujeci. Megjithatë, pavarësisht provave të mbledhura nga hetimet, përfshirë një automjet të dyshuar pranë vendit të ngjarjes me motor ende të ngrohtë, Gjykata e Shkodrës i shpalli të pafajshëm për mungesë provash.
Edhe pse vendimi i drejtësisë i liroi nga akuzat, familja Mhillaj ka vijuar të jetë e bindur se autorët e vrasjes ishin pjesëtarë të fisit Mujeci, duke e mbajtur të hapur konfliktin mes dy familjeve.
Në vijim, shumica e anëtarëve të fisit Mujeci kanë treguar kujdes në lëvizjet e tyre, duke shmangur frekuentimin e fshatit Torovicë dhe duke lëvizur në mënyrë të kontrolluar. Ndryshe ka ndodhur me viktimën e sotme, Kreshnik Mujeci, i cili lëvizte shpesh dhe zakonisht i shoqëruar nga bashkëshortja, pavarësisht kundërshtive nga familjarët.
Pikërisht këto lëvizje duket se e kanë bërë atë më të ekspozuar dhe lehtësisht të gjurmueshëm. Dyshohet se ai është survejuar dhe është pritur në momentin e kthimit, ku ndaj tij është qëlluar me breshëri armësh, duke i marrë jetën atij dhe bashkëshortes së tij.
Ngjarja e sotme konsiderohet si vazhdim i një zinxhiri hakmarrjeje që ka nisur vite më parë nga një konflikt i momentit, por që përfundoi në një përplasje të përgjakshme mes dy fiseve.
/abcnews.al/


