Masat e reja për të kaluar kufirin për në Kosovë indinjuan më shumë banorët e Kukësit. Një pjesë e tyre punojnë në Kosovë dhe nuk kanë mundësi të paguajnë tamponin.
Për pak minuta ditën e sotme protestuan në Morinë duke bllokuar hyrjen e mjeteve nga Kosova. Rruga u lirua pas ndërhyrjes së policisë. Deputetja e PS-së për qarkun e Kukësit, Gerta Duraku kërkon nga qeveria e Kosovës që të heqë masat kufizuese.
“Shqipëria nuk vendosi kurrë asnjë kusht për qytetarët e Kosovës, madje as në kohen e karantinës së madhe. Uroj dhe shpresoj që qeveria e Kosovës ta rishikojë këtë masë që penalizon rëndë banorët e qarkut Kukës dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi duke i diskriminuar ata përtej çdo lloj arsye dhe llogjike” shkruan ajo.
Çdo person që futet në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tre doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit./ Abcnews.al