I ftohti polar ka mbërthyer Shqipërinë. Ngricat dhe dëbora ka shkaktuar probleme në disa akse të caktuara, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje dhe thekson se vijon puna pa pushim për pastrimin e këtyre akseve dhe shpërndarjen e kripës për lehtësim të qarkullimit.
“Mirëmëngjes, dhe me punën që vijon pa pushim me të gjitha kapacitetet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat e mbuluara me dëborë, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
I gjithë vendi është përfshirë nga moti i ftohtë me temperatura të ulëta. Reshjet e dendura të dëborës zbardhën qarkun e Dibrës dhe të Kukësit. Në qytetin e Peshkopisë, dëbora ka arritur në disa centimetra. Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Ndërkohë të gjitha grupet e emergjencës dhe forcat e armatosura po qëndrojnë në gadishmëri. /abcnews.al