Nga Ervin Leka
Kjo e premte është tronditur nga një mori ngjarjesh. Aksidente, të shtëna me armë e shpërthim tritoli kanë prishur qetësinë e banorëve në qytete të ndryshme të vendit. Ashtu siç rëndomtë ndodh duket se krimi zgjedh “qetësinë” e fundjavës për të goditur. Kështu ndodhi edhe këtë të premte në Fushë Krujë, ku një shpërthim eksplozivi tronditi zonën. Banesës së Naim Stafukës iu vendos tritol. Vetëm fati ka bërë që bilanci i këtij shpërthimi të mos kishte përmasa tragjike, pasi zona ka qenë e populluar në momentin e ngjarjes. Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, ky i fundit rezulton prej vitesh i zhdukur dhe ende nuk ka asnjë informacion për fatin e tij. Enver Stafuka është bërë i njohur për autoritetet për shkak të një ngjarje të vitit 2013 ku ai u akuzua bashkë me Gentjan Bejtjan vodhën makinën e përdorur në vrasjen e krye komisar Dritan Lamaj, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013. Nga ana tjetër, kujtojmë se pak ditë më parë Gentjan Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës. Ai u qëllua me breshëri nga persona të panjohur dhe në makinë me të ishte edhe Klodjan Stafuka. Kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur, ndërsa nuk dihet nëse është e lidhur me tritolin që iu vendos sonte vëllai të mikut të tij, tashmë të zhdukur.
As Shkodra nuk “flinte” sonte. Rreth orës 20:40, në lagjen Skënderbeg, Kristian Kroni, mori armën dhe qëlloi disa herë në drejtim të lokalit në pronësi të Nikollë Dushajt. Ngjarja alarmoi “blutë” e Shkodrës, të cilët mundën të identifikojnë autorin por jo ta kapin atë. Burime për ABC bënë të ditur se kjo situatë erdhi si pasojë e një sherri banal. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të autorit që tronditi zonën duke qëlluar me armë. Edhe në këtë ngjarje plumbat “falën” jetë njerëzish, pasi në momentin kur është qëlluar zona ka qenë e populluar nga shumë persona.
Në Fier autostrada në Levan, duke se po kthehet në një njollë të zezë aksidentesh. Edhe mbrëmjen e sotme një viktimë u shënua si pasojë e një aksidenti tragjik në këtë aks rrugor. Dritan Shena 53-vjeç banues nga Shkodra, po udhëtonte me makinën e tij sportive tip “Corvette” ku rreth orës 22:00, ka humbur kontrollin e mjetit duke u bërë “copash” në rrugë e duke gjetur kështu vdekjen. Deri më tani shkak i këtij aksidenti të rëndë dyshohet të jetë bërë shpejtësia tej normave e makinës sportive.
Në Elbasan fat tragjik ka pasur një 61-vjeçar. Q.K banues në lagjen 28 Nëntori, po hidhte mbeturina te koshi pranë banesës së tij, teksa ka rrëshqitur dhe humbur jetën direkt në vend. Sipas policisë ngjarja aksidentale u shënuar rreth orës 21:00 të mbrëmjes.
Edhe në Tepelenë, një aksident për pak sa nuk u kushtoi jetën disa personave. Sipas policisë një furgon që drejtohej nga një shtetas turk është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues S. Ç., 31 vjeç. Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar pasagjeri i automjetit tip furgon, shtetasi turk Y. K. dhe dy pasagjeret e automjetit tip “Benz”, shtetaset E. L. dhe V. Ç., të cilët janë transportuar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin Rajonal Gjirokastër./abcnews.al/