Brdaric: Çmenduri që nuk shënuam ndaj Tiranës, fitojmë patjetër me Egnatian

schedule16:24 - 20 Janar, 2022

schedule 16:24 - 20 Janar, 2022

Vllaznia do të përballet me Egnatian ditën e nesërme, takim që do të hapë dhe javën e 17-të të Abissnet Superiores. Kjo sfidë do të luhet në “Loro Boriçi” ora 16:45.

Në konferencën për shtyp, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric ka folur për takimin kundër Egnatias si dhe gjendjen e ekipit përpara kësaj përballje.

Tekniku i shkodranëve nuk kaloi pa prekur edhe klasiken e Shqipërisë, ndeshjen kundër Tiranës që përfundoi në “paqe” mes dy skuadrave, për të cilën Brdaric e quajti çmenduri që skuadra e tij nuk arriti të shënonte.

Tekniku gjermano-kroat shprehet i bindur se skuadra do marrë një fitore nesër, teksa thekson se përveç Latifit, e gjithë pjesa tjetër e grupit është e gatshme.

“E kemi kaluar ndeshjen e fundit dhe jemi të fortë në mendjet tona se do të vazhdojmë me të njëjtin intensitet si në ndeshjen e fundit, dhe do të na shpërblehet puna që po bëjmë në stërvitje. Ne punojmë në mënyra të ndryshme, sepse ne nuk është se shikojmë gjithmonë rezultatin. Ne punojmë në kushte të vështira, por gjithsesi mendoj se jemi kompetitivë dhe do të jemi në marshin e fundit nesër në mënyrë që të marrim rezultat pozitiv.

Kemi deri nesër kohë për të zgjedhur se kush do të jetë në 11-shen titullare, duke marrë parasysh mungesën e Latifit. Mendoj se do të kemi 11 lojtarë, plus disa të tjerë, sepse ne nuk kemi nevojë vetëm për 11 lojtarë, por edhe ata që do të hyjnë nga stoli ose edhe ata që nuk do të hyjnë fare. Do të kemi nevojë për mbështetjen e ekipit, sepse kjo është një punë e përbashkët dhe mendoj që ne mund ta mundim Egnatian nesër”.

I pyetur edhe për mungesën e golit, trajneri 46-vjeçar shprehet se është një çmenduri që nuk arritën të shënonin ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, por thekson se kanë punuar gjatë javës në stërvitje në këtë aspekt.

“Eshtë çmenduri që nuk arritëm dot të shënonim ndaj Tiranës, por ne jemi stërvitur gjatë kësaj jave, jemi përqëndruar për këtë problem dhe shpresojmë që nesër do ta zgjidhim dhe gjërat do të jenë më ndryshe. Duhet të fokusohemi në gjëra themelore.

Ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, qofshin të parët e renditjes, qofshin ato në zonën e ftohtë, pra ato që mund të jenë gati duke rënë nga kategoria. Ne do të japim maksimumin gjithmonë ndaj çdo kundërshtari dhe më pas dua që të përqëndrohemi tek ndeshja e nesërme në mënyrë që t’i shkaktojmë Egnatias humbjen e rradhës”.

Brdariç flet edhe për tifozët, teksa i falënderon për atmosferën që krijuan në ndeshjen ndaj Tiranës, ndërsa kërkon që edhe nesër ndaj Egnatias, tifozëria të jetë e shumtë në numër.

“Më pëlqyen tifozët dhe mbështetja që ata na dhanë ndaj Tiranës, i falënderoj shumë ata për këtë gjë, por gjithsesi duam të përqëndrohemi tek ndeshja e nesërme dhe duam që ata të jenë aty në stadiumin tonë, sepse ne mendoj që zhvillojmë një futboll të bukur, argëtues dhe ata ndoshta duhet të vijnë ta shijojnë këtë gjë. Do kisha dëshirë që ata të ishin të shumtë në numër nesër ndaj Egnatias”.

I pyetur edhe për “çështjen” Da Silva, tekniku gjerman preferon të përgjigjet shkurt, duke thënë se fantazisti do të jetë i gatshëm nesër.

“Po, për ndeshjen e nesërme Da Silva është i gatshëm”, përfundoi trajneri i Vllazinsë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!