Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë Ben Wallace tha se Britania po furnizon Ukrainën me raketa antitank me rreze të shkurtër veprimi për vetëmbrojtje pasi Rusia grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj. Ben Wallace u tha deputetëve se një ekip i vogël trupash britanikë do të dërgohej gjithashtu në Ukrainë për të ofruar trajnime. Rusia mohon çdo plan pushtimi dhe akuzon Perëndimin për agresion.
Dhjetra trupa britanike kanë qenë në Ukrainë që nga viti 2015 për të ndihmuar në trajnimin e forcave të tyre të armatosura, dhe Britania e Madhe gjithashtu ka marrë një angazhim për të ndihmuar në rindërtimin e marinës së Ukrainës pas pushtimit rus të Krimesë në 2014. Grupi i parë i armëve të lehta kundër blindave u dërgua të hënën, megjithëse sekretari i mbrojtjes nuk specifikoi llojin.
Sekretari i Mbrojtjes tha “më lejoni të jem i qartë: kjo mbështetje është për aftësitë e armëve me rreze të shkurtër dhe qartësisht mbrojtëse; ato nuk janë armë strategjike dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim për Rusinë; ato duhet të përdoren në vetëmbrojtje.” Ai tha se “ne dëshirojmë të jemi miq me popullin rus siç kemi qenë për qindra vjet dhe ka një botë në të cilën ne mund të krijojmë një marrëdhënie reciproke të dobishme me Rusinë”. Ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe përshëndeti vendimin e Britanisë për të dërguar armë dhe trupa shtesë, por i tha “BBC-së” se problemi më i madh ishte se ata nuk ishin anëtarë të NATO-s.
Konflikti midis separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore dhe ushtrisë ukrainase ka vazhduar që nga viti 2014, megjithëse ekziston një armëpushim i lëkundshëm. Shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase kanë sugjeruar se një pushtim ose inkursion mund të ndodhë diku në fillim të vitit 2022, pasi forcat ruse u grumbulluan në kufi. Rusia ndërkohë ka akuzuar vendet e NATO-s për “pompimin” e Ukrainës me armë dhe tha se SHBA po nxit tensionet në rajon.
Kërkesa e saj kryesore është të ndalojë çdo zgjerim të NATO-s në lindje, me zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov që tha pas bisedimeve të fundit se është “absolutisht e detyrueshme të sigurohet që Ukraina të mos bëhet kurrë, asnjëherë anëtare e NATO-s”. Ministria i Mbrojtjes së Britanisë tha se ka “një paketë sanksionesh ndërkombëtare gati për t’u nisur” nëse Rusia duhet të ndërmarrë ndonjë “veprim destabilizues” në Ukrainë. / abcnews.al