Partizani mori fitoren e parë për vitin 2022 ndaj Egnatias, teksa e mposhti me shifrat 3-0.
Debutin me fitore per trajnerin e ri, Dritan Mehmetin, i cili arriti të rikthente demat te fitorja me rezultat bindës.
Për “Supersport” pas ndeshjes tekniku i të kuqve u shfaq i lumtur për 3 pikët e marra teksa theksoi se ka marrë dhuratën më të bukur për këtë vit që kur iu besuar stoli i kryeqytetasve.
“Rezultati 0-3 duket i lehtë, por hasëm vështirësi edhe për ndryshimin e sistemit. Egnatia të imponon respekt dhe në 15-minutat e para skuadra nuk kishte rrjedhshmëri. Ndeshjet e para pas shkëputjes janë të vështira sa të futesh në ritëm. Skuka është një element që mund të na shërbejë shumë, ka arritur të bëjë detyrën e tij. Edhe me disa ndryshime në pjesën e dytë u munduam ta ndihmonim. Skuka duhet ta kuptojë se është në elitën e futbollit shqiptar me Partizanin.
Çfarë i keni ndryshuar? E njoh mirë skuadrën dhe i njohim karakteristikat dhe mentalitetin. Jam i familjes, skuadra ka vuajtur psikologjikisht. I kam vënë lojtarët në pozicionet e tyre dhe është e rëndësishme që lojtarët të duan klubin dhe të japin maksimumin.
E kisha përgatitur që skuadra të ishte fanatike në detyrat defensive dhe më pas të kërkonim thellësi dhe vertikalizim. Sot nuk kemi bërë asgjë veç detyrën, do i marrim ndeshjet me radhë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kundërshtarët janë të ndryshëm dhe e di se Kastrioti fitoi me Teutën, tregon se nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira.
Edhe pse e nisëm pjesën e parë të kujdesshëm, ndikoi edhe aspekti psikologjik se lojtarët kishin humbur besimin. Çdo skuadër ka mentalitetin e saj dhe Partizani duhet të jetë i vrullshëm dhe agresiv, skuadra duhet të jetë më e rrjedhshme dhe në fushë të jetë një.
A është më i fortë Partizani pas merkatos? “Kallaku dhe Bitri kanë eksperiencë dhe do të na ndihmojnë, por skuadra duhet ta bazojë lojën te grupi. Të gjithë të jenë të barabartë dhe më pas të japin më të mirën për të bërë diferencën. Dita-ditës duhet të mësojmë edhe nga fitoret”.
Prisni më dhurata në merkato? “Kam marrë dhuratën më të madhe që jam trajner i Partizanit”, u shpreh Mehmeti. /f.a/abcnews.al