Partia Demokratike bëri publike një platformë bashkëpunimi për të gjitha partitë e vogla të opozitës. Mirëpo për Agron Dukën, ajo platformë duhet përmirësuar në përsa i përket Kodit dhe reformës Zgjedhore si dhe bujqësisë përndryshe do të rishikojë marrëdhëniet me opozitën. Deklaratën, kreu i PAA-së e bëri në emisionin “Provokacija”.
“Na ka ardhur një platformë nga PD, ku nuk vihet prioriteti mbi bujqësinë dhe kjo do jetë një nga arsyet, ndoshta përveç asaj që ne e quajmë kryesore reforma zgjedhore e Kodi Zgjedhore, të cilat nëse nuk përmirësohen në këtë platformë bashkëpunimi edhe mund edhe të na ndajnë pavarësisht se jemi në opozitë mund të dalim të ndarë në zgjedhjet e ardhshme. S’ka pakënaqësi. Në një platformë bashkëpunimi duhet të vihet një paragraf i theksuar për bujqësinë dhe si mund të zhvillohet bujqësia në të ardhmen. Nëse kjo nuk bëhet njëlloj si ligji zgjedhor, atëherë ç’mund të presim. Të paktën të na thuhet, të konsultohet me ne, dhe nëse vendosim këto pika atëherë mund të gjykojmë në marrëdhëniet tona në të ardhmen me opozitën. PD bëhet fjala sepse ata e kanë bërë këtë lloj platforme.
Më ka ardhur një shkresë që është publikuar dhe në media, të cilën do e shoh me njerëzit e mi, anëtarët e kryesisë, por që fillimisht siç u mundova t’ju shpreh kam opsionet e mia pasi aty reforma dhe Kodi Zgjedhor nuk përmenden, gjithashtu dhe bujqësia. Nëse do të na realizohen, të paktën teorikisht të jetë e vendosur në këtë lloj platforme ne nuk do të pranojmë që nesër të hyjmë në zgjedhje me PD-në. Por kjo nuk ndryshon asgjë në qëndrimet tona me marrëdhëniet e mazhorancës”, u shpreh Duka.
Megjithatë, kritika mbi këtë platformë për kodin zgjedhor dhe bujqësinë nuk do të thotë refuzim sipas Dukës. Ai theksoi se kjo që paraqet PAA është kundërofertë ndaj platformës së bashkëpunimit të prezantuar nga PD.
“Jo nuk e refuzoj. Unë i jap një kundër-ofertë dhe i them që duhet të shohë Kodin dhe reformën zgjedhore si dhe bujqësinë. Të jenë të parashikuara në këtë platformë bashkëpunimi”, u shpreh Duka./abcnews.al