Partitë parlamentare të opozitës kanë rënë dakord për një platformë bashkëpunimi, e cila institucionalizon koalicionin opozitar për zgjedhjet e ardhshme. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të PD-së, platforma është e ngritur në 4 shtylla kryesore.
Përveç krijimit të koalicionit, partitë bien dakord se rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, e cila duhet të ketë mandat për 4 çështje kyçe: kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike dhe krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian.
Platforma është nismë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili, pas arritjes së dakordësisë me partitë parlamentare të opozitës do ta zgjerojë koalicionin edhe me parti të tjera jashtë parlamentit./abcnews.al