Ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur nesër një protestë përpara selisë blu, Endri Hasa, Sekretar për organizimin dixhital, deklaron se në PD nesër do të jetë një ditë normale pune.
Në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse protestuesit arrijnë të futen brenda në godinë, teksa qëllimi është të nxirret jashtë Lulzim Basha, Hasa thotë se janë marrë masat dhe do të dokumentohet çdo gjë. Sipas tij çdokush që tenton të bëjë akte dhune do të mbajë përgjegjësi.
“Për ata njerëz që realisht punojnë për PD ata që shqetësohen do të jenë në një ditë normale pune. Aty brenda do jenë do të vazhdojnë ditën dhe rutinë e tyre.
Do të dokumentohet çdo gjë. Çdokush që do të tentojë të ndërmarrë akte dhune do të mbajë përgjegjësi penale. Si do jenë dyert nesër ia lëmë ditës së nesërme. Do ta shihni si do të jetë selia, ka qenë gjithnjë e hapur për demokratët.
Të bësh skenare të thuash që më është mbyllur dera. Para ca kohësh ka ardhur Albana Vokshi dhe kishte personin që hap dyert me çelësin në dorë dhe jo me një çelës tjetër thoshte nuk hapet.
Ajo që është e ditur po përdoret çdo mekanizëm, mënyrë përtej asaj që ndodhi, për të sjellë njerëz. Nuk u intereson të sjellin demokratë se ata nuk përplasen me njëri-tjetrin.
Nesër do të jetë një ditë normale pune për PD. disa njerëz të tjerë kanë menduar të zhvillojnë miting para PD, në oborr, e paimagjinueshme, duan ta bëjnë ashtu le ta bëjnë mitingun në oborr. Ne do merremi me axhendën e shqiptarëve”, tha ai.
Sipas Hasës ideja e kësaj proteste është që të mbahet peng opozita, ndërsa veprimet e Edi Palokës i cilësoi si qesharake.
“Ideja është të mbajnë peng opozitën. Nuk mund të merret opozita peng. Edi Paloka qesharak, mbylli firmat në kasafortë. Ai veprim ishte qesharak. Sa herë ti teket dikujt do bëjmë zgjedhje ne? Siç përfunduam foltoren e Astrit Patozit në të njëjtën mënyrë do të përfundojnë edhe foltoret e Sali Berishës”, deklaroi Hasa. g.v/abcnews.al