Falë një fondi të dhënë nga Ministria e Arsimit, rreth 300 nxënës të shkollës së Qukës-Shkumbinit në Prrenjas do të ulen në ambiente të rikonstruktuara. Punimet u inspektuan nga drejtuesi politik i PS-së të Qarkut te Elbasanit, Taulant Balla.
Shumë shpejt 290 nxënës që ndjekin mësimin në shkollën 9 vjecare “Dilaver Nezha” në Qukë-Shkumbim të Prrenjasit të ndjekin mësimin në ambiente krejtësisht të transformuara.
Dhe ajo çka pritet të jetë më e rëndësishme për fëmijët dhe prindërit e tyre, shkolla e re pritet të ketë një sistem ngrohje qendrore plotësisht bashkëkohor.
Investimi prej 289 milionë lekë të vjetra të dhëna nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u inspektua nga Drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti socialist Nuri Belba.
“Ky projekt në fakt u nis si projekt rikonstruksioni, por për shkak të problematikave që ndodhën gjatë implementimit të projektit u desh të ndryshohet projekti për të vazhduar me një ndërtim tërësor të shkollës.
I kemi kërkuar kompanisë të planifikojë edhe sistemin e ngrohjes. Duhet të kemi parasysh që gjithmonë në gjithë këto shkolla sistemi i ngrohjes ka qenë jo vetëm jo-efiçent, por edhe në dëm të mjedisit dhe nuk garantonte një arsimim funksional në klasa.
Këtë do ta ndjekim deri në fazën e fundit me qëllim që të garantohet që të jetë një cilësi shumë e mirë e punës dhe që sa më shpejt të jetë e mundur të vihet në funksion të nxënësve”– u shpreh Balla.
Ndërsa deputeti Nuri Belba u shpreh se ky investim do të pasohet nga të tjerë. Sipas tij, shkolla e mesme “Sabri Halili” në Rrajcë, e cila ka 800 nxënës, eshte e para, por jo e fundit në listen e rikonstruksioneve të ardhshme. /abcnews.al