Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Balla: Shqipëria po negocion me ritëm rekord, reforma territoriale dhe zgjedhore të mbyllen me konsensus

schedule12:19 - 14 Maj, 2026

schedule 12:19 - 14 Maj, 2026

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se Shqipëria ndodhet në një fazë të re dhe më dinamike të procesit të integrimit europian, duke theksuar se vendi ka kaluar “nga faza e aspiratës tek faza e realizimit”.

Gjatë diskutimit për rezolutën e integrimit europian, Balla tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi strategjik dhe kombëtar i Shqipërisë.

“Integrimi europian nuk është një slogan i bukur për raste solemne, por boshti ku duhet të rrotullohet veprimi ynë politik dhe institucional çdo ditë,” u shpreh ai.
Sipas Ballës, Shqipëria ka arritur të hapë 6 grupkapituj negociues brenda vetëm 13 muajve, një ritëm që ai e cilësoi rekord në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një tregues i qartë se Shqipëria nuk po ecën me hapin e dëshirës, por me hapin e realizimit,” deklaroi ai.
Kreu i grupit socialist theksoi se progresi nuk lidhet vetëm me momentin gjeopolitik, por me “disiplinën institucionale” dhe koordinimin mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, drejtësisë dhe shoqërisë civile.



Balla vlerësoi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, duke kërkuar rritje të kontrollit parlamentar dhe bashkëpunim më të madh me opozitën.

“Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm,” tha ai, ndërsa kërkoi që reforma territoriale, reforma zgjedhore dhe ligji për financimin e partive politike të miratohen me konsensus brenda korrikut.
Ai bëri të ditur se gjatë viteve 2025-2026 janë miratuar 222 akte ligjore dhe nënligjore në funksion të integrimit europian, krahasuar me 82 në vitin 2024.
Balla përmendi gjithashtu progresin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, duke përfshirë ligjet për sinjalizuesit, lobimin, konfliktin e interesit, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se mbi 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Ky mandat qytetar kërkon një proces më të hapur dhe më gjithëpërfshirës. Sot nuk mjafton të themi se jemi pro Europës, por duhet të sillemi si një parlament europian,” përfundoi Balla.

Fjala e plotë

Të nderuar kolegë deputetë, zonja e zotëri, dashur qytetarë shqiptarë, sot nuk jemi thjesht dhe vetëm para një teksti për ta votuar. Jemi përpara një momenti i cili kërkon mbi të gjitha qartësi politike, vetëdije historike, por edhe përgjegjësi institucionale. Sepse anëtarësimi i Shqipërisë sonë të përbashkët në Bashkimin Europian është objektivi ynë strategjik, kombëtar, madhor i Shqipërisë. Është objektivi që orienton axhendën tonë kombëtare, të reformave, transformimin europian të shtetit të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare.

Pa dyshim, nuk është një aspiratë e përgjithshme, as edhe një slogan i bukur, për t’u përsëritur në raste të tilla solemne si i sotmi, por ky është ai boshti ku duhet të rrotullohet veprimi ynë politik dhe institucional çdo ditë. Dhe e vërteta është se Shqipëria ndodhet sot në një fazë të re, më dinamike, dhe më të matshme të këtij procesi.

Ne kemi kaluar nga faza e aspiratës, në fazën e veprimit, nga premtimet tek rezultatet e verifikueshme. Falë një pune intensive dhe të koordinuar të një ekipi negociator që gjej rastin t’i përgëzoj, Shqipëria ka arritur që brenda 13 muajve të hapë 6 grupkapituj negociues. Me një ritëm historik të paprecedentë që ka shënuar një rekord më vete në historinë e zgjerimit. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Dhe një tregues i qartë se vendi ynë, Shqipëria jonë e përbashkët, nuk po ecën me hapin e dëshirës, por me hapin e realizimit.

Ky përparim nuk ka ardhur thjesht dhe vetëm rastësisht. Apo për shkak të momentit gjeopolitik. Por ai është një rezultat i vullnetit është rezultat i disiplinës institucionale, dhe i koordinimit edhe këtu duhet ta themi, mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, shoqërisë civile, institucioneve të drejtësisë, dhe për t’u kthyer te roli i Kuvendit unë mendoj që ne kemi rolin më të rëndësishëm në këtë proces. Sepse procesi i anëtarësimit nuk është thjesht dhe vetëm një axhendë qeveritare. Është një proces kombëtar, ku parlamenti ka rolin e pazëvendësueshëm; në Kuvend përkthehen standardet europiane në ligje. Apo jo? Këtu ushtrohet kontrolli mbi ekzekutivin, të cilin duhet ta përmirësojmë. Këtu zhvillohet debati demokratik, ku do të doja shumë që gjuha e sotme të ishte gjuhë e përditshme, ndërkohë që duhet të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm kombëtar për integrimin.

E për këtë arsye përgjegjësia e Kuvendit si shprehje si vullneti politik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është sot, nesër, pasnesër, vitin e ardhshëm, vitin pasardhës, deri në atë vizionin që duhet ta bëjmë vizion të përbashkët, Shqipëria 2030 anëtare e Bashkimit Europian. Dhe këtë përgjegjësi ne duhet ta lexojmë, jo në mënyrë ceremoniale protokollare, por në mënyrë konkrete.

Zonja e zotëri deputetë, dashur qytetarë shqiptarë, gjatë vitit 2025-2026 deri tani në prill, Shqipëria miratoi të paktën 222 akte ligjore nënligjore në funksion të procesit të integrimit europian. Krahasuar në fakt me 2024-ën që ishim vetëm 82, dhe kjo tregon një dëshmi, kjo dëshmon një punë intensive kemi trefishuar ritmin e harmonizimit ligjor me institucional, por mos harroni që këtë trefishim duhet ta dyfishojmë në javën, në muajt, në vijim.

Kuvendi ka pasur dhe duhet të ketë rol qendror. Unë nuk i iki kësaj edhe këtij angazhimi si kryetar i grupit të shumicës por roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. Sundimi i ligjit, drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore nuk janë disa kushte të ftohta procedurale. Ato janë themeli mbi të cilën ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti dhe besimi i Bashkimit Europian te Shqipëria.

Dhe në këtë drejtim në raportimin që patëm në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u njohëm me faktin se janë identifikuar dhe janë riparuar 92 hendeqe kritike, 24 kushte ndërmjetme në kuadër të këtij grupkapitulli atë të themeloreve. Mjafton të përmendim disa prej zhvillimeve të rëndësishme ku besoj që bien të gjithë dakord konsolidimi i reformës së drejtësisë përmes paketës ligjore për organet e qeverisjes së sistemit dhe statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Miratimi në udhërrëfyesin për eficencën e sistemit të drejtësisë 2025-2027. Në luftën kundër korrupsionit janë miratuar ligji i ri për sinjalizimin, ligji për lobimin, ligji për konfliktin e interesit, ndërsa janë avancuar dhe nismat për financimin e partive politike presim nga Komisioni i Venecias së Opinionit dhe besoj që brenda këtij sesioni që mbyllet këtë enjten e fundit të korrikut ta miratojmë së bashku.

Po ashtu në fushën e të drejtave themelore janë miratuar ligje të rëndësishme për barazinë gjinore, për parandalimin e dhunës me barazinë gjinore, për përkujdesjen alternative për minoritetet, për mbrojtjen e të dhënave, për median audio-vizuale, dhe për mbrojtjen e gazetarëve.

Të gjitha këto tregojnë se integrimi europian nuk është thjesht një tabelë me kapituj, por ajo mbi të gjitha është një punë reformuese. E kur ua themi shpeshherë në anglisht kolegëve tanë europianë se reformat nuk i bëjnë se duam të plotësojnë detyrat e shtëpisë për të hyrë në Bashkimin Europian, por reforma do t’i bëjmë sepse reformat i bëjnë mirë Shqipërisë dhe qytetarëve të Shqipërisë sonë të përbashkët.
Na duhet të forcojmë më tej funksionin tonë ligjbërës duke shqyrtuar me përparësi legjislacionin shqiptar që synon përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian. Duhet të garantojmë dhe të fuqizojmë integritetin pavarësinë e institucioneve kushtetuese të krijuara me ligj që të nxisin përgatitjen e tyre për fazën tjetër, fazën kur ato institucione do të jenë institucione të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Kolegë këto nuk janë të mira institucionale, por mendoj që janë kushte për ta çuar këtë proces deri në fund me seriozitet dhe besueshmëri. Na duhet të demonstrojmë pjekurinë praktike, sidomos në çështje që kërkojnë konsensus, siç po e bëjmë sot me miratimin konsensual të kësaj rezolute, në këtë frymë duhet të përfundojmë me konsensus brenda këtij sesioni brenda korrikut edhe reformën territoriale, edhe atë elektorale, duke përfshirë siç e thashë edhe ligjin për financimin e partive politike.

Kjo do të ishte një provë e qartë se politika shqiptare di të ngrihet mbi veten kur bëhet fjalë për objektivin tonë madhor kombëtar. Dhe ky objektiv ka një bazë të pakundërshtueshme qytetare. 91% e shqiptarëve mbështesin BE-në. 92% shprehin besim te Bashkimi Europian. Dhe kanë një perceptim pozitiv për të. Asnjë vend tjetër në Europë nuk e ka këtë. Asnjë klasë politike në Europë nuk e ka fatin e madh që më shumë se 90% e votuesve mbështesin këtë bazë të shëndoshë mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

E pra ky mandat qytetar kërkon dhe proces më të hapur, më gjithëpërfshirës, sepse Bashkimi Europian nuk ndërtohet vetëm me negociata teknike, por me parlament të fortë mbi të gjitha. Me institucione të besueshme, me transparencë dhe kulturë demokratike. Dhe në këtë kontekst duhet të thellojmë bashkëpunimin të rrisim diplomacinë parlamentare. Vizita e këtyre ditëve e Komisionit Politikës së Jashtme të Parlamentit Suedez ishte një shembull i mirë që mendoj kryetar edhe zoti kryetar i Komisionit për Europën dhe punët e jashtme ta marrim si model për të ftuar në Tiranë të gjitha komisionet për Europën dhe punët e jashtme të parlamenteve të vendeve anëtare. Ndoshta është më mirë të vijnë ata këtu në kuptimin edhe për të për të parë siç ndanë bashkë me kolegen Tabaku dje dhe kolegët e tjerë që janë takuar me anëtarët e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Suedez, pyetje e përgjigje, vlerësime, vizita sepse një pjesë e tyre nuk u ka rënë radha të vijnë në Shqipëri, por kur vijnë në Shqipëri sigurisht shohin më afër rezultatet.

Prandaj zonja e zotërinj, dashur kolegë, sot nuk mjafton të themi se jemi pro Europës, sot duhet të tregojmë se dimë të sillemi si një parlament europian, në seriozitetin e debatit, në cilësinë e ligjbërjes, në kulturën e mbikëqyrjes dhe në gatishmërinë për të bashkëpunuar për interesin kombëtar. Duke ju falënderuar mendoj që shpreh një vlerësim të përbashkët se Shqipëria sot po sheh një ditë të bukur nga kjo sallë, edhe lajme më të mira na presin në ditët në vijim. Faleminderit!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!