Përfshirja e pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat e Tiranës është parë me mjaft kriticizëm, duke u cilësuar si një ndërhyrje e dëmshme për vendin.
I ftuar në “Balkan Update” në ABC News, avokati Idajet Beqiri deklaroi prerazi se këta individë po vijnë pa ideale kombëtare dhe nuk e duan Shqipërinë. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk duhet të lejonte një organizim të tillë që nxit përçarje artificiale mes dy vendeve që në fund të fundit ndajnë të njëjtin gjak dhe flamur.
Beqiri theksoi se këto tubime pengojnë drejtpërdrejt zhvillimin e vendit dhe rrugëtimin drejt BE-së, sidomos pas ndryshimeve kolosale që Shqipëria ka pësuar që nga viti 2013. Në mbyllje, ai shtoi se kjo protestë është në kohën dhe në vendin e gabuar, pasi askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në investimet e jugut apo në punët e brendshme të shtetit shqiptar.
“Gjithmonë kanë dalë probleme, të futjes së hundës së përçarëve, sidomos të atyre vendeve që kanë dashur gjithmonë që ta shikojnë të djegur Shqipërinë. Shqipëri-Kosovë, jemi një komb, një gjak dhe një flamur. Ka individë që duan të nxisin përçarje. Problemi në fund të fundit, është kjo është një gjë antishqiptare.
Ç’punë kanë ata se çfarë probleme të brendshme kemi ne, edhe se çfarë investime kemi ne në jug. Kjo është përçarje, sepse duket sikur shqiptarët e Shqipërisë nuk duan shqiptarët e Kosovës. Kurti nuk duhet të lejonte që protestuesit të vinin këtu. Kjo është antishqiptare dhe kundër Shqipërisë në BE. Protestat pengojnë zhvillimin e Shqipërisë.
Shqiptarët e Kosovës duhet të thonë që kjo protestë është në kohën dhe në vendin e gabuar. Në vendin tonë nga viti 2013 e deri më sot janë bërë ndryshime të mëdha, janë bërë ndryshime kolosale. Po vijnë pa ideale kombëtare dhe njerëz që nuk e duan Shqipërinë”, tha Beqiri.



