Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në selinë e demokratëve si edhe publikimin e pamjeve nga njësia nr.8 gjatë votimit në referendumin e thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Bardhi tha se pamjet e publikuara tregojnë manipulimin e madh që ka bërë Berisha me listat dhe vullnetin e demokratëve duke listuar si të tillë edhe persona që nuk kjanë asnjë lidhje me partinë.
“Sali Berisha po përpiqet të mbivendoset me dhunë dhe me retorikë përçarëse. Janë skena teatrale inskenime, sajesa dhe akte apo veprime për të demantuar interesin politik të PD. Mashtrime të përditshme që aq më absurde bëhen. Shpikje e një kauze çdo ditë, si ajo e protestës kombëtare në oborrin e PD se po lyhen muret dhe po rregullohen ambientet e punës, është keqpërdorimi më i madh që një demokrat i bën një demokrati.
Kjo protestë ka një qëllim të bunkerizojë PD njëlloj siç është buknerizuar Berisha dhe familja e tij. Që nga 9 shtatorit nga Berisha keni dëgjuar gënjeshtra që të shëndërroj PD në shërbim të hallit të tij personale. Firmat e delegatëve u mbyllën në kasafortë. U tha se do hapen firmat më 11 dhjetor. Atë ditë në vend të transparencës u mbyllën dyert dhe u nxorën jashtë edhe përfaqësuesit e medias. Më pas keni dëgjuar nga goja e Sali Berishës dhe ata që kanë vendosur interesin e PD mbi demokratët se u realizua një referendum ku morën pjesë 44 mijë anëtarë të partisë”, tha Bardhi.
“Kjo ka qenë arsye pse nuk jemi marrë me asnjë proces ilegjitim të Sali Berishës. Falenderoj ABC që kanë zbuluar mashtrimet e Berishës. Sot çdo shqiptarë kanë parë se si anëtarët e PD, që kanë hyrë brenda ambienteve të votimit rezultati u shpall se kishin marrë pjesë më shumë se 700 anëtarë të PD. Vetëm në atë degë, ka mundësi të shikojë falë ABC dhe mediat e tjera, 12 orë filmime nga momenti i hapjes së derës deri në fund. Se si nga 1300 anëtarë në degën 8 kanë marrë pjesë jo më shumë se 10 % të anëtarëve. Faktet dhe provat janë se ky proces është bërë në këtë formë në të gjitha degët. Ne kemi heshtur në funksion të mbrojtjes së demokratëve“, tha Bardhi.
Më herët, Abcnews.al publikoi pamjet nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë qendrës së votimit të njësisë nr.8 në Tiranë, të cilat konfirmojnë se aty janë futur për të votuar edhe persona që nuk kanë lidhje me PD-në, ndërsa nga krahasimi i të dhënave mes numrit të deklaruar të votuesve të deklaruar dhe atyre që janë futur në këto ambiente, rezulton se ka një rritje te ndjeshme të numrit të fletëve të votimit, të cilat dyshohet se janë plotësuar dhe futur në kuti nga organizatorët e votimit.
KËTU gjeni pamjet e plota filmike nga kamera e sigurisë gjatë gjithë procesit të votimit në njësinë nr.8.
./abcnews.al/