Partia Demokratike organizoi protesta në katër qytete kryesore të vendit. Në Shkodër, Korçë, Dibër dhe Gjirokastër, qytetarët tubuan paqësisht duke kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Korçë
Ashtu siç kanë premtuar, demokratët janë shtrirë në mbarë vendin për t’i thënë qeverisë Rama të lërë detyrën. Qytetarët e Korçës dhe zonave përreth, protestuan në qendër të qytetit dhe në sheshin përpara bashkisë. Fermerët pjesëmarrës në protestë thonë se kanë falimentuar për shkak se gjendja ekonomike e popullsisë është gjithnjë e në rrënim dhe nuk ka konsum.
Shkodër
Të thirrur nga opozita, qytetarët e qarkut të Shkodrës, protestojnë nëpër rrugët e qytetit për të adresuar thirrjet dhe parullat e tyre para prefekturës. Protestuesit thonë se rritja e çmimeve, mungesa e punës e kanë bërë shumë më të vështirë jetesën në Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë.
Dibër
Në Dibër, protesta u zhvillua në rrugët kryesore të qytetit të Peshkopisë, për të kulmuar me thirrjet në sheshin qendror. Protestuesit akuzuan qeverinë për situatën në Dibër, që me gjithë propagandën e Rilindjes, mbetet sot një nga qarqet më të varfra në Shqipëri.
Gjirokastër
Qytetarët e Gjirokastrës protestuanpër mugesën e një prej shërbimeve jetësore, shëndetësinë. Të thirrur nga opozita, qytetarët gjirokastritë, dolën në rrugët e qytetit, duke bllokuar një prej kryqëzimeve. Të gjitha këto tubime organizohen në vigjilje të protestës së lajmëruar në 16 Shkurt në Tiranë./abcnews.al