Një grup deputetësh të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, që udhëhiqet nga Sali Berisha mbërriti mesditën e sotme në selinë blu për të dhënë një deklaratë për mediat. Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Tritan Shehu ishin mes deputetëve të grupit që ngjitën shkallët e selisë, por dera kryesore ishte e mbyllur.
Po ashtu edhe dy hyrjet e tjera anësore. Ish-ministri i Brendshëm, anëtar i grupit të PD-së, por rreshtuar kundër kryetarit, Flamur Noka akuzoi Lulzim Bashën se me ndihmën e Edi Ramës e ka kthyer selinë e partisë në burg të sigurisë së lartë.
Lexo edhe: Skadon “afati” për Bashën, grupi i Berishës mbërrin në selinë e PD, dyert të “blinduara”
“Një grup deputetësh dhe deputetesh të grupit të PD-së erdhëm sot në selinë e PD-së, në shtëpinë tonë për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje për axhendën për vitin 2022.
Ajo që po konstatojmë me dhimbje është se shtëpia e lirisë, PD sot duhet të ishte një ambient që të gumëzhinte, që të kishte ambient festiv që të gjenin veten të gjithë demokratët, por Edi Rama me pengun e tij e ka kthyer në një alkatraz të kohëve moderne. Të gjitha dyert e mbyllura, gjithçka e blinduar.
A thua e ka kthyer selinë e PD-së në një burg të sigurisë së lartë. Edi Rama i ka siguruar kushtet e një burgu të sigurisë së lartë. Por e ka gabim.
Mund të burgosë pengun e tij, por kurrë shpirtin e lirë të demokratëve. Data 8 do të jetë një ditë që demokratët do të marrin frymë lirisht, jo nga qelitë e alkatrazit, por shtëpia e lirisë, në mënyrën më paqësore, do ta kthejnë në shtëpi lirie” tha ai.
Sot skadon ultimatumi që Sali Berisha i vendosi Lulzim Bashës për t’u larguar nga selia, ose në të kundërt ai ka paralajmëruar se do ta “nxjerrim butësisht” në protestën e datës 8 Janar./ Abcnews.al