Emisioni “Log.” në “ABC” mbrëmjen e sotme erdhi për herë të fundit për këtë vit. Tema e emisionit ishte “Ngjarje dhe personazhe 2021”. Për të analizuar gjithçka që shënjoi vitin që po lëmë pas i ftuar në studio në pjesën e parë të emisionit ishte Mentor Nazarko. Por cila ishte ngjarja kryesore e vitit? Padyshim që ishin zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat nxorën në pah shumë gjëra.
“Disa ngjarje kur i shikon nga një distancë kohore mund të shohësh edhe gjëra që nuk i ke parë afër. Zgjedhjet e 25 Prillit kanë pasur sëmundje që janë karakteristike të proceseve në Shqipëri. Mendoj që janë të vërteta një pjesë e madhe e pretendimeve të opozitës, për ndikimin e administratës, rindërtimin apo kategori të tjera, krime që kanë ndjekshmëri të ulët, është e kufizuar.
Fitoren e PS-së e prisja, pasi nuk shikoja një shpërthim të frymës që ka përcaktuar rrotacionet. Fitorja e PD-së mund të arrihej nëse do të kishte dalje me një listë, që mund të t’i kishte favorizuar, ose votim taktik në qarqe të caktuara. Basha është tërheqës vetëm kur është konstruktiv, kur imiton Berishën është humbës” tha Nazarko.
Zgjedhjet i dhanë Edi Ramës mandatin e tretë. “Edi Rama është një sfidë unike dhe reflekton lodhjen nga pushteti, por ka mësuar të menaxhojë mirë energjitë e veta. Ai fokusohet te ngjarjet, projektet, që i sigurojnë rendiment elektoral, që do të thotë; inaugurim shtëpish të rindërtimit. Fillimi i aeroportit të Vlorës, përfundimi i Rrugës së Arbrit, që mbulojnë efektin negativ që mund të krijohet nga keqqeverisja apo ngjarje si ajo e inceneratorëve.
Besnik i disa parimeve, që i ka pasur si konstante, psh; platforma e bashkëqeverisjes, që tani ka marrë një karakter ligjor, me të cilën Rama amortizon pakënaqësinë popullore. Rama nuk ka hequr dorë nga disa vija udhëheqëse, që janë PPP-të. Unë nuk jam kundër tyre, pasi një shtet i vogël jo funksional do të duhet ti zgjidhë projektet në bashkëpunim me privatin. Por “jorgani” i buxhetit të shtetit mund të krijojë efekte të dëmshme, shkatërruese në vitin që vjen. Ky 7 muajsh i qeverisë “Rama- 3” ka treguar vijimësi dhe koherencë” tha ai.
Në vitin që po mbyllet nuk munguan as skandalet, nga patronazhistët te dalja e listave të pagave. Pistat se kush mund të ketë nxjerrë listën e pagave janë disa. “Mund të jetë edhe një grup interesi që mund ta ketë provuar këtë rrjedhje të të dhënave. Nuk kam ekspertizën e duhur për të thënë se kush mund ta ketë bërë” tha Nazarko./ Abcnews.al