Përcaktohen kriteret, si do të bëhet transferimi i policëve në administratë, kthimi pas 3 vitesh

schedule19:06 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 19:06 - 29 Dhjetor, 2021

Në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave janë përcaktuar kriteret dhe procedurat që duhen ndjekur për transferimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në institucione të administratës, në pozicione që ata mund t’i zotërojnë profesionalisht.

Punonjësit e policisë do të transferohen në administratë për sa kohë të jetë vakanca e vendit ku ata do të emërohen por në një afat kohor jo më shumë se 3 vite. Grada e policëve do të përkthehet në funksione ku ata mund të transferohen.

Pas një periudhe të përcaktuar këta punonjës të transferuar në institucione të administratës, mund të emërohen në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit pasi paraqesin një kërkesë me shkrim.

 Vendimi

Kryeministri Edi Rama

Vendim për

RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR TRASFERIMIN E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT NË STRUKTURA TË TJERA SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 11, të nenit 45/1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
TRANSFERIMI I PUNONJËSVE TË POLICISË NË STRUKTURA TË TJERA SHTETËRORE

  1. Transferimin e punonjësve të Policisë së Shtetit (këtu e në vijim punonjësit) në institucione të administratës shtetërore, në pozicione që mund të kryhen profesionalisht nga ana e tyre, të cilat:
  2. a) për pozicionet e shërbimit civil rezultojnë të lira në mënyrë të përkohshme për arsye të parashikuara nga ligji;
    b) për pozicionet jashtë fushës së veprimit të legjislacionit për nëpunësin civil rezultojnë vakante apo përkohësisht të lira.
  3. Periudha kohore e transferimit të punonjësve në struktura të institucioneve të administratës shtetërore zgjat:
  4. a) për sa kohë zgjat përkohshmëria e vakancës për pozicionet e shërbimit civil, por jo më shumë se 3 (tre) vjet;
    b) për një periudhë deri në 3 (tre) vjet, për pozicionet e tjera jashtë shërbimit civil.
  5. Punonjësit, të cilët transferohen në institucione të administratës shtetërore, emërohen përkohësisht në funksione në nivel ekuivalent me gradën e tyre policore, pas ekuivalentimit të gradës.
  6. Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët paraqesin interes për emërimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në strukturat e tyre, për pozicione pune të cilat nuk janë pjesë e shërbimit civil, paraqesin kërkesën me shkrim pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke specifikuar kriteret dhe kërkesat që duhet të ketë punonjësi për të kryer detyrat funksionale.
  7. Për rastet e përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues së bashku me dokumentacionin shoqërues.
  8. Institucioni kërkues, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e kandidaturës së propozuar sipas pikës 5, të këtij kreu, shpreh dakordësinë për pranimin ose jo të tij.
  9. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e pezullimit të punonjësit. Urdhri i pezullimit i përcillet institucionit kërkues, i cili vijon me procedurën e emërimit.
  10. Për pozicionet e punës, pjesë të shërbimit civil, përkohësisht të lira, njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve kërkuese, të cilat kanë interes për emërimin e përkohshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë Departamentit të Administratës Publike, duke specifikuar kriteret që duhet të ketë punonjësi për të kryer detyrat funksionale.
  11. Departamenti i Administratës Publike, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, e përcjell atë pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim dërgimin e kandidaturës që plotëson kriteret e kërkuara.
  12. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, sipas përcaktimit të pikës 9, të këtij kreu, përcjell kandidaturën e përzgjedhur pranë Departamentit të Administratës Publike.
  13. Departamenti i Administratës Publike, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike verifikon plotësimin e kritereve për emërim të përkohshëm dhe:
  14. a) nëse kriteret plotësohen nxjerr aktin e emërimit të përkohshëm në pozicionin përkatës, një kopje të të cilit ia dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
    b) nëse kriteret nuk plotësohen, njofton Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për mosplotësimin e tyre.
  15. Vlerësimi i performancës së punonjësit bëhet sipas procedurës së përcaktuar në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës së pozicionit ku punonjësi i policisë është transferuar.

KREU II
RIKTHIMI NË POLICINË E SHTETIT TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT TË TRANSFERUAR NË STRUKTURA TË TJERA TË ADMINISTARTËS SHTETËRORE

  1. Punonjësit e Policisë së Shtetit të emëruar/transferuar në struktura të institucioneve të administratës shtetërore, sipas këtij vendimi, pas mbarimit të afatit, emërohen në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore që mbajnë.
  2. Për rikthimin në strukturat e Policisë së Shtetit, institucioni në të cilin është emëruar punonjësi, i cili nuk është pjesë e shërbimit civil, paraqet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kërkesën me shkrim për rikthimin e tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka të drejtë që, për nevoja pune, të kërkojë rikthimin e punonjësit në Policinë e Shtetit, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 (gjashtë) muaj nga transferimi.
  3. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas marrjes së këkesës për rikthimin e punonjësit, procedon me emërimin e tij brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
  4. Për pozicionet e punës, të cilat përfshihen në shërbimin civil, njësia e burimeve njerëzore të institucionit kërkues, njofton Departamentin e Administratës Publike për përfundimin e afatit përkohshmërisë së pozicionit ku është emëruar punonjësi. Departamenti i Administratës Publike njofton Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për rikthimin e punonjësit.
  5. Kur rikthimi në Policinë e Shtetit bëhet pas një periudhe mbi 1 (një) vit kërkohet vërtetimi i besueshmërisë.
  6. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti i Administratës Publike dhe strukturat e tjera shtetërore të cilat kanë në organikë funksione që mund të kryhen profesionalisht nga punonjës të Policisë së Shtetit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

m.v/Abcnews.al