Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

FBI zbulon planin rus për vrasje në SHBA dhe Europë

schedule16:57 - 16 Shtator, 2026

schedule 16:57 - 16 Shtator, 2026

Shërbimet ruse të inteligjencës dyshohet se kanë planifikuar vrasje të personave të caktuar në Shtetet e Bashkuara dhe në vende europiane që mbështesin Ukrainën. Kështu deklaruan autoritetet amerikane, të cilat kanë ngritur akuza ndaj pesë personave që aktualisht janë në kërkim.

Sipas aktakuzës së bërë publike nga një gjykatë federale në Manhattan, një rrjet i lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës ka paguar ose ka tentuar të paguajë persona në SHBA dhe në vende të tjera për të vëzhguar individë të caktuar, me qëllim vrasjen e tyre.

Autoritetet amerikane thonë gjithashtu se personave të rekrutuar u është kërkuar të kryejnë sulme ndaj infrastrukturës civile dhe ushtarake në disa vende europiane që konsiderohen mbështetëse të Ukrainës. James C. Barnacle Jr., drejtues i zyrës së FBI-së në New York, tha se hetimet kanë bërë të mundur parandalimin e këtyre planeve.

Sipas tij, pjesëtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës dhe persona të lidhur me ta po përpiqeshin të “frikësonin, kërcënonin ose vrisnin njerëz në territorin e Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën”.

Edhe Darren B. Cox, drejtues i zyrës së FBI-së në Washington, vlerësoi punën e agjentëve dhe institucioneve partnere amerikane, duke thënë se hetimet ndihmuan në ndalimin e përpjekjeve për sulme të dhunshme në SHBA.

Sipas autoriteteve, rrjeti ka qenë aktiv të paktën që nga viti 2024 dhe dyshohet se ka organizuar ose kryer sulme dhe vrasje në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Në të kaluarën, ky rrjet dyshohet se ishte fokusuar kryesisht te disidentët dhe dezertorët rusë. Sipas hetuesve amerikanë, në periudhën e fundit objektivat e tij janë zgjeruar edhe te persona dhe vende që mbështesin Ukrainën.

Një nga rastet e përshkruara në aktakuzë lidhet me një person që jetonte në SHBA. Sipas autoriteteve, ai ishte rekrutuar gjatë kësaj vere për të ndjekur dhe më pas vrarë një disident të njohur rus, që besohej se ndodhej në territorin amerikan.

Në dokumentet e gjykatës, personi identifikohet vetëm si “U.S. Resident-1”. Ai është dërguar në dy vende që lidhen me objektivin dhe ka marrë udhëzime të hollësishme për ta vëzhguar atë. Për këtë punë iu premtuan fillimisht 1 mijë dhe 1 mijë e 500 dollarë.

Pas kryerjes së vëzhgimit, personi u dërgoi të dyshuarve fotografi dhe video të vendeve të lidhura me objektivin. Më pas, atij iu ofruan 40 mijë dollarë për ta “eliminuar” objektivin, por ai e refuzoi ofertën. Sipas aktakuzës, pas këtij refuzimi, pjesëtari i dyshuar i shërbimeve ruse të inteligjencës kërkoi persona të tjerë në SHBA që të kryenin vrasjen, duke u ofruar shuma të konsiderueshme parash.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!