VOA: Dyshime mbi veprimet e Rusisë lidhur me furnizimin me gaz të Evropës

schedule21:56 - 28 Dhjetor, 2021

schedule 21:56 - 28 Dhjetor, 2021

Me ardhjen e dimrit në Evropë dhe rritjen e çmimeve të energjisë, po rriten tensionet mbi sigurimin e gazit nga Rusia — veçanërisht përmes gazsjellësit Yamal-Evropë që kalon përmes Polonisë dhe Bjellorusisë.

Por Yamal është vetëm një element i një rrjeti kompleks të infrastrukturës së gazit, i krijuar jo vetëm nga nevojat e energjisë, por edhe nga interesat më të gjera ekonomike dhe politika, përfshirë mosmarrëveshjet midis Rusisë dhe Ukrainës.

Gazsjellësi i hapur në vitin 1994, përshkon mbi 2,000 kilometra deri në Gjermani nga qyteti Torjok në Rusinë qendrore, duke kaluar tranzit përmes Bjellorusisë dhe Polonisë.

Ai dërgon 30 miliardë metra kub gaz në Evropë çdo vit, duke e bërë atë një nga mjetet më të rëndësishme për furnizimin me gaz rus në kontinent.

Rusia i shet gaz Gjermanisë me një çmim më të ulët se sa Polonisë, pjesërisht për të kompensuar tarifat më të larta të tranzitit nga distanca më e gjatë.

Por kjo do të thotë se Polonisë i leverdis më shumë të blejë gaz rus nga Gjermania.

Një pjesë e gazit e shitur nga tregtarët gjermanë në Poloni rrjedh drejtpërdrejt në territorin polak, ose nëse kjo nuk është e mjaftueshme, tubacioni mund të funksionojë edhe në drejtim të kundërt për të dërguar më shumë gaz te fqinji lindor i Gjermanisë.

Që nga 21 dhjetori, gazsjellësi ka funksionuar në drejtim të kundërt, me gaz që rrjedh drejt lindjes në Poloni nga kufiri gjerman, sipas të dhënave nga kompania administruese Gascade, të para nga AFP.

Kjo do të thotë se gjatë ditëve të fundit, vetë Gjermania nuk ka marrë gaz nëpërmjet tubacionit Yamal.

Ndërkohë, gazi rus vazhdon të rrjedhë drejt Evropës përmes tubacioneve të tjera kryesore si Nord Stream I dhe TurkStream.

Nuk është e pazakontë që gazsjellësi Yamal të funksionojë në drejtim të kundërt për periudha të shkurtra, por në këtë rast të fundit kjo përkon me tensionin politik mbi frikën se Rusia mund të ndërhyjë në Ukrainë.

Presion politik

Në Gjermani, qeveria ka thënë se në rast të ndonjë “përshkallëzimi”, do të dalë kundër një tjetër gazsjellësi, Nord Stream 2, i cili është ende në pritje të dritës jeshile nga autoritetet.

Disa shtete evropiane, si Polonia dhe Ukraina, kanë akuzuar Moskën dhe kompaninë ruse të energjisë Gazprom për ndërprerjen e furnizimit me gaz të Evropës për të ushtruar presion politik mes këtyre tensioneve.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ndryshimi në rrjedhën e gazit përmes tubacionit Yamal është thjesht për shkak të luhatjeve të kërkesave dhe ka mohuar çdo motiv politik.

Gazprom, nga ana e tij, i ka quajtur akuzat se nuk po dërgon gaz të mjaftueshëm në Evropë “absolutisht të pabaza dhe të papranueshme” dhe fajësoi Gjermaninë se po përdor rezervat e saj për të furnizuar Poloninë fqinje.

Berlini të hënën mohoi çdo ndërhyrje nga ana e tij. “Nuk është qeveria ajo që vendos për flukset e gazit, por tregu, tregtarët,” tha Ministria e Ekonomisë dhe Klimës.

George Zachmann, një specialist për çështjet e energjisë për institutin Bruegel me bazë në Bruksel, thotë se Gazprom mund edhe të jetë duke “favorizuar tubacionet e veta” përballë atyre që nuk i kontrollon 100%, siç është tubacioni Yamal.

Rezerva të ulëta

Një zëdhënëse e Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Klimës i tha AFP-së se “siguria e furnizimit vazhdon të jetë e garantuar”. Por Berlini, i cili ka rezerva “relativisht të ulëta” gazi me rezervuarë të mbushur në kapacitetin vetëm 53 për qind, së shpejti mund të hasë “vështirësi”, sipas presidentit të Shoqatës së Ekonomistëve të Energjisë, Christophe Bonnery.

“Nëse kontratat respektohen, nuk do të ketë probleme të paktën deri në mars”, tha zoti Zachmann.

Por “nëse Rusia nuk mundet ose nuk do të japë gaz për arsye teknike ose të tjera, atëherë furnizimet mund të bien”. Mosmarrëveshja vjen ndërsa çmimet e gazit, janë shtatëfishuar që nga fillimi i vitit. Rritja mendohet të jetë pjesërisht për shkak të një dimri veçanërisht të ftohtë dhe një rritjeje të aktivitetit të lidhur me rekuperimin post-koronavirus të ekonomisë.

Duke qenë se 40% e gazit që konsumohet në Evropë vjen nga Rusia, dyshohet se Moska ka përfituar nga tensionet në tregun botëror për të pakësuar furnizimin dhe për të rritur çmimet. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në shtator i bëri thirrje Rusisë që të jetë një “furnizues i besueshëm” dhe të dërgojë më shumë gaz në Evropë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!