Nga Ivana Stradner, Foreign Affairs
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Ky vit shënoi 30 vjetorin e fillimit të luftërave jugosllave, konflikti më i përgjakshëm i Europës që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse shtetet e Ballkanit zgjodhën qeverisjen demokratike dhe rrugën drejt integrimit me NATO-n dhe Bashkimit Europian menjëherë pas luftërave, neglizhenca e vazhdueshme nga ana e Perëndimit ka mbetur e njëjtë gjatë viteve të fundit.
Tani presidenti rus Vladimir Putin po shfrytëzon mundësinë e tij dhe po përdor shtetet e ish-Jugosllavisë si fushëbetejën e radhës për të dobësuar NATO-n dhe Bashkimin Europian.
Përpjekjet e Putinit për ta shtyrë Ballkanin në greminë janë pjesë e misionit të saj për të rikthyer Rusinë si një ndërmjetës i fuqisë globale. Ngjashëm me strategjinë e Kremlinit në Kaukaz, qëllimi i Rusisë në Ballkan është të rrisë tensionet në mënyrë që të mund të pozicionohet si ndërmjetësi i vetëm rajonal dhe garantues i sigurisë.
Ai synon njëkohësisht të tregojë se as NATO, BE dhe as anëtarët e tyre nuk janë partnerë të besueshëm për asnjë nga vendet e Ballkanit. Ndërsa Moska gjithashtu vazhdon të vendosë trupa ushtarake pranë kufirit me Ukrainën, fushata e saj e ndikimit në Ballkan shërben si një teatër tjetër për të sfiduar Perëndimin. Për shumë njerëz në Perëndim, strategjia e Putinit është konfuze. Këta analistë e shohin Ballkanin si vend të prapambetur gjeopolitik; ata nuk e kuptojnë se cili është fitimi i Rusisë duke ndërhyrë në rajon, raporton abcnews.al
Ballkani nuk është dorëzuar kurrë kaq lehtë. Rusia e sheh rajonin si vendin më të menaxhueshëm të Europës: ndikimi i saj në rritje mund ta lejojë atë të vendosë asete strategjike ushtarake pranë një baze të madhe amerikane dhe premton t’i japë asaj akses në detin Adriatik. Qëllimi më i madh i Putinit është të rikthejë balancën e fuqisë në Europë në avantazhin e Moskës dhe Ballkani është pjesë e kësaj strategjie. Moska ka nisur operacione informacioni për të ndezur tensionet etnike dhe për të inkurajuar protestat, ka çimentuar marrëveshjet e armëve dhe ka shfrytëzuar lidhjet e gjata fetare dhe kulturore midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse Serbe në avantazhin e saj në rajon.
Përpjekjet e Rusisë janë ndihmuar edhe nga reagimi i dobët i BE-së. Pavarësisht shumë viteve dhe miliarda eurove të shpenzuara për përgatitjen e Ballkanit për integrimin në BE, përpjekja ka mbetur pezull. BE-ja nuk është zgjeruar që nga futja e Kroacisë në vitin 2013 , dhe pavarësisht premtimeve për anëtarësim për “gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor” – Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për arsye të ndryshme bisedimet kanë mbetur pezull. I njollosur nga sfida të ndryshme si Brexit, pandemia COVID-19, rritja e grupeve të ekstremit të djathtë dhe kriza e emigrantëve në Europë, zgjerimi i BE-së është në pritje. Ky dështim e ka bërë Ballkanin një objektiv të dukshëm për Putinin.
Gjatë krizës së fundit në Ballkan në vitet 1990, Rusia nuk kishte fuqi për të ndërhyrë ushtarakisht. Në vend të kësaj, Rusia u kufizua në një mision paqeruajtës pas luftës së Kosovës në 1999, nga i cili vendosi të tërhiqej në vitin 2003. Edhe atëherë, qeveria ruse e cilësoi zgjerimin e NATO-s në Europën Lindore si një kërcënim të sigurisë kombëtare. Tani, me ekonominë dhe ushtrinë relativisht më të fortë të Rusisë, Kremlini ka një mundësi për të frenuar përparimin e NATO-s duke synuar shtetet ish-jugosllave.
Europa Perëndimore ishte duke “fjetur” herën e fundit që shpërtheu lufta në Ballkan – por këtë herë nuk mund ta injorojë situatën që po ndodh. Korrupsioni endemik në vendet e Ballkanit ka krijuar përçarje që Moska i ka shfrytëzuar për të përmbushur synimet e saj. Ndërsa shtetet ish-jugosllave kaluan nga socializmi në ekonomitë e tregut të lirë pas viteve 1990, kleptokracia dhe privatizimi i paligjshëm zunë rrënjë.
Putini po përdor korrupsionin për përçarje ekonomike, etnike dhe fetare në shoqëritë ballkanike duke detyruar liderët e rajonit. Serbia vepron si një lojtar kyç në ofertën e Kremlinit për Ballkanin. Si qeveria ashtu edhe kisha janë besnikë ndaj Moskës, e cila është mbështetur për shekuj në lidhje të përbashkëta fetare dhe kulturore – si dhe nga izolimi i ndërsjellë i Serbisë dhe Rusisë nga fuqitë bashkëkohore perëndimore.
Qeveria serbe bëri thirrje për krijimin e një “bote serbe” – një paralele ballkanike me “botën ruse” të Putinit, e projektuar për të bashkuar të gjithë serbët nën një kornizë të përbashkët kulturore. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka interesa strategjike më të menjëhershme në ndërhyrjen e Rusisë, përderisa kaosi në rajon do t’i lejojë atij të vendoset si një forcë për stabilitet përpara fushatës së tij të rizgjedhjes në vitin 2022, raporton abcnews.al
Për të siguruar që zgjedhjet të jenë në favor të tyre, Serbia dhe Rusia zotuan të punojnë së bashku për të ndaluar protestat masive dhe “revolucionet me ngjyra” që vijnë nga Perëndimi. Rusia i është përgjigjur besnikërisë serbe përmes mbështetjes bujare për ushtrinë serbe. Që nga viti 2018, buxheti i mbrojtjes i Serbisë është pothuajse dyfishuar, dhe ajo është në krye të të gjithave shteteve të Ballkanit për sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen. Pavarësisht kërcënimeve për sanksione amerikane ndaj Serbisë, Moska dërgoi një sistem raketor S-400 në Serbi në vitin 2019 për një stërvitje ushtarake.
Serbia gjithashtu është në pritje të një “qendre humanitare” të drejtuar nga Rusia, e cila shërben si një institucion i mbledhjes së inteligjencës, i vendosur afër Kampit Bondsteel – bazën kryesore të NATO-s në Kosovë. Moska ka kërcënuar hapur vendet e Ballkanit që janë përpjekur të forcojnë lidhjet e tyre të sigurisë me Perëndimin. Ai u përpoq të prishte një referendum të vitit 2018 për anëtarësimin në NATO në Maqedoninë e Veriut dhe ambasadori i saj e shpalli vendin një “objektiv legjitim” nëse tensionet midis NATO-s dhe Rusisë do të rriteshin (vendi u bë një vend anëtar në 2020).
Në vendin fqinj në Mal të Zi, Moska mbështeti një grusht shteti në vitin 2016, pak para përpjekjes së saj të suksesshme për t’u anëtarësuar në NATO. Rusia e kupton se feja në Ballkan ka qenë gjithmonë e rëndësishme në nxitjen e konflikteve. Në Mal të Zi, Kremlini promovon politika pro-ruse përmes Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka denigruar konceptin e identiteteve të dallueshme kombëtare malazeze dhe serbe dhe ka ndërhyrë në politikë në emër të Moskës. Duke punuar përmes kishës, Rusia organizoi protesta masive vitin e kaluar dhe zëvendësoi një qeveri jo bashkëpunuese me udhëheqje pro-ruse.
Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina janë si bomba me sahat tani në Ballkan
Edhe pse popullsia e Kosovës është më shumë se 90 për qind shqiptare, serbët e shohin vendin si pjesë të tyre. Ashtu si një luftë civile shpërtheu nga tensionet midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në fillim të viteve 1990, Kremlini po përdor tani Kishën Ortodokse për të destabilizuar vendin dhe rajonin më të gjerë. Kisha Ortodokse e Rusisë ka përshkallëzuar mosmarrëveshjet e përsëritura mbi objektet fetare, më së fundi duke shprehur shqetësimin për “fatin e faltoreve të krishtera në Kosovë” pas ndezjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
Moska gjithashtu e ka bërë të qartë se njohja diplomatike nga Kombet e Bashkuara të pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë e pamundur pa miratimin e Rusisë. Putin shpesh përmend Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke argumentuar se njohja e shkëputjes së vendit nga Serbia nga vendet perëndimore krijoi një precedent që legjitimon shpalljet e njëanshme të pavarësisë së territoreve të tjera.
Brukseli ka dështuar të bëjë përparim drejt njohjes së Kosovës nga Serbia, ashtu si “Marrëveshja e Uashingtonit” e vitit 2020 e presidentit amerikan Donald Trump nuk arriti të jepte rezultat në çështjet thelbësore të mosmarrëveshjes.
KFOR-i, forca paqeruajtëse e NATO-s e vendosur në Kosovë, ka luftuar në mënyrë të ngjashme për të ruajtur stabilitetin. Në shtator,në kufirin e diskutueshëm Kosovë-Serbi shpërthyen protesta për ndalimin e hyrjes së automjeteve me targa serbe në Kosovë. Kjo rezultoi me bllokadë dhe shfaqje të forcave ajrore nga serbët dhe vendosjen e forcave policore të Kosovës. Nga ana tjetër, Rusia e ndoqi ngjarjen duke u tallur me KFOR-in dhe duke i kërkuar BE-së për ndërmjetësim joadekuat të tensioneve të vazhdueshme midis dy shteteve.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, marrëveshja e paqes e Dejtonit që i dha fund luftës në 1995 është në krizë. Vendi vazhdon të drejtohet nga ndarjet midis komuniteteve të tij boshnjake, serbe dhe kroate, dhe Rusia i ka shfrytëzuar këto ndarje në avantazhin e saj. Në mars, Rusia kërcënoi se do të hakmerrej nëse Bosnja do të ishte pjesë e NATO-s. Ndërkohë, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, kërcënoi se Republika Srpska, një nga dy entitetet që përbëjnë vendin, do të shkëputet nga Bosnja. Në dhjetor, Asambleja Kombëtare e Republika Srpska votoi në favor të fillimit të një procedure që serbët e Bosnjës të tërhiqen nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë ushtrinë boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemin e taksave dhe gjyqësorin.
Përveç Republika Srpska, Kremlini ka mbështetur nacionalistët kroatë të Bosnjës për të nxitur krijimin e një entiteti tjetër brenda Bosnjë dhe Hercegovinës. Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, shprehi shqetësimin në nëntor kur tha se “perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale”. Ka ardhur koha që fuqitë perëndimore të zgjohen nga kërcënimi që ndërhyrja e Rusisë në Ballkan paraqet për interesat e tyre. Dhe ata kanë disa opsione në dispozicion të tyre.
NATO duhet të ri përqendrohet në rajon dhe t’i japë përparësi de-përshkallëzimit të tensioneve. Ajo duhet të mbështesë Ballkanin, siç bëri në Malin e Zi në vitin 2019, për të luftuar fushatat ruse të dezinformimit dhe operacionet e tjera të informacionit. Anëtarët e NATO-s duhet të organizojnë gjithashtu një “koalicion të vullnetarëve” për të kundërshtuar ndërhyrjen ruse në Bosnje, duke vendosur misione paqeruajtëse në zona strategjike, siç është distrikti verilindor i Brckos, për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të zonave të rrezikuara, raporton abcnews.al
Kjo forcë mund të plotësojë forcën paqeruajtëse të udhëhequr nga BE-ja (EUFOR), e cila është e ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnje por mandati i së cilës duhet të zgjatet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos. Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv për të sanksionuar ata që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në qershor; BE-ja duhet t’u bashkohet këtyre përpjekjeve.
Nuk mund të presim që të gjithë anëtarët e NATO-s të mbështesin Ballkanin, pasi Hungaria dhe disa vende të tjera europiane të NATO-s shërbejnë si përfaqësues të Rusisë në organizatë. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar duket se e ka kuptuar ashpërsinë e krizës. Ajo ka premtuar se do të ruajë “stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” dhe ka paralajmëruar Rusinë që të mos bëjë një “gabim strategjik” në rajon. Londra duhet të punojë për t’i shndërruar këto fjalë në veprime duke udhëhequr koalicionin për ti dhënë fund ndërhyrjes ruse në rajon.
Mbi të gjitha, NATO duhet të përshpejtojë anëtarësimin e Bosnjës dhe Kosovës në NATO.
Një veprim i tillë do të rriste kostot e Kremlinit për operacionet e tij në Ballkan. Rusia e ka kundërshtuar me vendosmëri zgjerimin e NATO-s dhe ndërsa kriza në Ukrainë vazhdon, ka bërë thirrje për një garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO të ndërpresë aktivitetin ushtarak në Europën Lindore.
Integrimi i Bosnjës dhe Kosovës do të ishte një mesazh se Ballkani nuk do të jetë i vetëm të përballjen me Moskën dhe se Putini nuk do të përcaktojë të ardhmen e NATO-s.
Siç ndodhi në fillim të luftërave jugosllave ose në prag të Luftës së Parë Botërore, mund të jetë e vështirë të bindesh botën për rëndësinë e Ballkanit. Në vitet 1990, vendet europiane nuk arritën t’i përgjigjen me urgjencë krizës dhe Shtetet e Bashkuara u detyruan të ndërhynin.
Megjithatë, janë Shtetet e Bashkuara që këtë herë nuk kanë gjasa të ndërhyjnë. Pra, barra do të mbetet mbi BE-në.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al