Mëngjesin e së mërkurës policia e Kosovës ka rrethuar banesën e Albin Kurtit te Parku i Qytetit, ndaj të cilit është lëshuar fletëarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Policia ka kërkuar Kurtin më parë dhe në zyrate vetëvendosjes por nuk e kanë gjetur. Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli pritet që të paraqiten në seancën gjyqësore ku do të merret vendimi ndaj tyre për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës. Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte parashikuar të mbahej më 10 tetor, u shty në mungesë të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.
Kurti e Kadaj-Bujupi munguan edhe në seancën e 13 shtatorit, duke detyruar gjykatësin Beqir Kalludra të urdhërojë sjelljen me detyrim të tyre në gjykatë. Në seancën e kaluar kishte munguar edhe deputetja-dëshmitare Flora Brovina, për të cilën gjithashtu ishte kërkuar që të sillej me detyrim.
Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i hedhur në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes. Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Të akuzuarit u arrestuan gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015 ndërsa seanca e parë ndaj tyre u mbajt në 6 janar 2016.
Deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm. Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët kundërshtuan akuzat duke i cilësuar politike
Policia e Kosovës ka kërkuar në banesën e saj dhe deputeten e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj – Bujupi, por as ajo nuk gjendet./abcnews.al