Një ngjarje tepër e rëndë është regjistruar në qytetin e Kavajës, ku një e mitur ende pa bërë 14 vjeç është detyruar që të kryejë marrëdhenie seksuale disa herë radhazi nga një grup bashkëmoshatarësh. Në pranga janë vënë 7 prej tyre, ndërsa një i tetë, një 15-vjeçar është shpallur në kërkim.
Paraditen e së hënës të miturit do të dalin para Gjykatës së Durrësit për të verifikuar masën e sigurisë, pasi më herët kjo gjykatë kishte lëshuar urdhrat e arrestit në ngarkim të tyre. Policia e Kavajës mësohet se ekzekutoi në fundjavë urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për 8 shtetas të mitur për të cilët ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur”.
Në Komisariatin e Policisë Kavajë ka bërë kallëzim një 14-vjeçare, sipas së cilës në periudha të ndryshme kohore që prej Nëntorit të vitit të kaluar në disa raste ka kryer marrëdhënie seksuale me 8 nxënës të shkollës së saj. Vajza mësohet se shantazhohej me një video intime që kishte me të dashurin e saj dhe detyrohej që të kryente marrëdhënie seksuale edhe me djemtë e tjerë.
Nga marrja në pyetje e personave te përfshirë në këtë ngjarje të rëndë mësohet se kanë qenë të paktën 3 episode në kohë dhe vende të ndryshme, kur e mitura nën presionin e shantazhit ka pranuar që të kryej marrëdhënie me shokët e shkollës. Të gjithë personazhet e kësaj ngjarje të paprecedentë mësohet se janë nxënës në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë.
Kanë qenë pikërisht mësuesit që duke parë ndryshimet e sjelljes së nxënëses së tyre dhe duke pyetur nxënësit e tjerë kanë zbuluar gjithçka ka ndodhur dhe kanë njoftuar në ditët e fundit të Janarit organet ligjzbatuese. Policia dhe prokuroria lokale, pas marrjes së denoncimit nga vetë vajza dhe marrjes së dëshmive ne praninë e prindërve, avokatëve dhe psikologëve të të gjithë personazheve të kësaj ngjarje të rëndë, kanë prerë fletë arrestet duke dërguar para drejtësisë të miturit./abcnews.al