Kyredemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur ish-ministrit Arben Imami, i cili ka akuzuar se kreu i PD, ka dhënë urdhrin për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar. Basha deklaroi në “Real Story” se ka pasur proces gjyqësor lidhur me këtë çështje dhe se ai ka dhënë të gjitha deklaratat e tij, si dhe shtoi se nuk ka pse t’i fshihet drejtësisë.
Ai po ashtu tha se deklaratat e tilla e bëjnë Imamin të “bjerë në batakun e një shpifësi ordiner.”
Pyetje: Ju akuzoi Arben Imami që keni vrarë 4 veta? Kush e dha urdhrin?
“Ju keni dëgjuar shumë akuza të hidhen ndaj meje që prej 9 shtatorit. Meqë ngriti këtë akuzë banale të hedhur në mënyrë banale. Ka pasur një proces hetimi, ndjekje penale, dhe gjyqësor për 21 janarin, që ka rezultuar me dënime. Nëse çdokush ka diçka ndaj meje për këtë çështje, unë nuk i fshihem drejtësisë. Unë nuk kam asgjë të re, i kam thënë ato që kam pasur për të thënë.
Ajo është një shpifje e ulët nga dikush që e kam njohur personalisht, dhe që nuk e mendoja kurrë se do binte në batakun e një shpifësi ordiner. Nuk e di se çfarë e ka detyruar. Nëse ai zotëria e ha turpin me bukë, le ta hajë turpin me bukë. Nëse ka diçka, unë jam i hapur. Jam personi më i akuzuar gjatë gjithë kohës që PD ka qenë në pushtet. Nuk i fshihem drejtësisë. Ky është kontrasti mes meje dhe atyre që bëhen mish për top duke shpifur”, tha Basha. /BW/

