Festat e fundvitit, policia kontrolle për parandalimin e futjes në treg të fishekzjarrëve

schedule09:53 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 09:53 - 16 Dhjetor, 2021

Me afrimin e festave të fundvitit, policia e shtetit është duke rritur kontrollet në pikat doganore, tregje e njësi tregtare, për parandalimin e futjes dhe hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Lajmin e bëri të ditur Drejtori i Rendit Publik Ylli Vasili në një deklaratë për mediat. Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për të verifikuar zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Sipas asaj që deklaroi Vasili, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët të gjitha strukturave vendore të Policisë u është kërkuar marrja e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, si dhe zbatimin e disa detyrave shtesë, të cilat konsistojnë në:

– Shtimin e kontrolleve çdo ditë, për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuara dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse i tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikuj të lejuar e të ndaluar”;

– Rritjen e cilësisë së kontrolleve, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, kryesisht me Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin, si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve;

– Në koordinimin e veprimeve ndërmjet ndihmësspecialistëve të Policimit në Komunitet/SPZ, Patrullave të Përgjithshme, Policisë Kriminale, me pushtetin lokal dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen në kohë të çdo paligjshmërie që shfqet në territor dhe që cenon rendin e sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!