Pas arrestimit të Lefter Kokës si edhe shpalljes në kërkim të Klodian Zotos dhe Stella Gugallës, SPAK ka vendosur të sekuestrojë edhe kompanitë në pronësi të tyre pasi u zbulua se përmes faturave fiktive i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 3.6 milion euro, të cilat i mori në formë ryshfeti ish-ministri.
Kështu, SPAK ka sekuestruar kantinën e pijeve “Skëndërbej” në Durrës, në pronësi të Lefter Kokës, pasi dyshohet se përmes lëshimit të faturave fiktive ka përftuar para nga dy kompanitë “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services”, në pronësi të Stela Gugalljas dhe Klodian Zotos.
“Me vendimin nr.484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur: Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale”, thotë SPAK.
SKEMA
Por, kalimi i parave nga inceneratorët tek Lefter Koka ishte finalja e një skeme të mirëorganizuar për të vjedhur paratë publike sipas SPAK. Ajo filloi në Elbasan ku kompania “Albtek Energy” sh.p.k. lëshoi disa fatura fiktive për punë të pakryera ndaj kompanisë së Klodian Zotos “Integrated Technology Services” sh.p.k. Vlera totale e faturave ishte 3.6 milion euro.
Më pas, sipas SPAK, kompania “Integrated Technology Services” sh.p.k ia kaloi këto para sërish përmes faturave fiktive kompanive në pronësi të Lefter Kokës apo që ishin në pronësi të të afërmve të tij. Këto biznese bënin fatura fiktive në emër të inceneratorëve, për të cilat ato nuk kishin kryer punë, por thjesht u kalonin paratë e ryshfetit sipas SPAK.
be.k/abcnews.al