Piontek shënon dy gola, Milani kualifikohet

schedule13:15 - 30 Janar, 2019

schedule 13:15 - 30 Janar, 2019

Milani duket se e ka gjetur sulmuesin e duhur. Ky është polaku Piontek, që shënoi dy gola ndaj Napolit, duke siguruar kualifikimin në Kupën e Italisë

Rastësi apo jo, por ishte mbrëmja e duhur. Tifozët e Milanit në stadiumin “San Siro” njohën fenomenin e ri të sulmit, në prani të fenomenit të dikurshëm.

Legjenda ukrainase, Andrij Shevçenko, mori një dhuratë mirënjohjeje nga klubi, në prag të ndeshjes së Kupës së Italisë, ndërsa pa kaluar shumë minuta, Kristof Piontek, vendosi fatin e duelit ndaj Napolit me dy gola.

Ishte debutimi si titullar i sulmuesit polak për kuqezinjtë, dhe ai nuk i la tifozët që të prisnin shumë. Rrjetat e tij, prej sulmuesi tipik, u shënuan në minutat 10 dhe 27-të, dhe Pionteku tregoi një siguri sikur të kishte kohë që luante me shokët e tij të rinj.

Futbolli ka golin si gjënë më të rëndësishme, dhe Milani mesa duket e gjeti njeriun e duhur.

“E prisja një mbrëmje të tillë, – u shpreh sulmuesi, – ju thashë që isha gati, madje ky është vetëm fillimi. Golat padyshim që ishin meritë e skuadrës, por edhe unë kam meritën time, sepse i kërkova topat e gjatë”.

Xhenaro Gatuzo ishte padyshim i lumtur, ndërsa ekipi i tij u kualifikua për në gjysmëfinale. “Piontek u tregua vërtet tepër i zoti, – pohoi trajneri, – ai është një vrasës në zonën e rreptësisë. Jam i bindur se është lojtari i duhur për Milanin që mendoj të ndërtoj, një skuadër që bazohet tek puna, më shumë sesa tek talenti. Tani, vëmendja të jetë tek Roma”.

Për mediat italiane, ka nisur ndërkaq epoka e polakut. “Piontek, Bang Bang”, titullon “La Gazeta delo Sport”. Atentatori i Milanit ngazëllen “San Siron”.

“Robokopa, është komenti i “Il Korriere delo Sportit”, Napoli i eleminuar, në gjysmëfinale shkon Milani. Një Piontek i jashtëzakonshëm debuton titullar me një dygolësh”!

Ja edhe “Tutosporti”, që nuk ngurron të nxjerrë konkluzionin, duke kujtuar Higuainin e larguar: “Pipita është Pionteku”! Milani synon të fitojë Kupën e Italisë, por objektivi kryesor është kualifikimi për në Champions./abcnews.al