Kryeministri Edi Rama ka qenë deri të premten vonë në Shkodër ku ka pasur një takim edhe me strukturat e Partisë Socialiste në këtë qytet.
Mësohet se takimi kishte për qëllim analizën e zgjedhjeve të 25 prillit dhe riorganizimin e PS. Siç është shprehur vetë kryeministri, PS në Shkodër do të ketë një riorganizim nga zero, “ në përpjekje për të rregulluar gabimet e shkuarës duke synuar një rikthim dinjitoz siç i ka hije partisë politike më të madhe në vend.”
Ndërsa bënte analizën e “25 Prillit” mësohet se kreu i PS është shprehur se rezultatet në qytet ishin të pafalshme dhe zhgënjyese.
Ai nënkuptoi se nuk është punuar në nivel të kënaqshëm ndërsa u shpreh se “vetëm me lulen simbol të PS do të ishin fituar 3 deputetë, pra tre mandate.”
Rama bëri të ditur se të gjitha organizatat humbëse do të zëvendësohen nga njerëz të rinj. Pas fjalës së kryesocialistit të pakta kanë qenë diskutimet. Në takim ishin përveç deputetëve të Shkodrës edhe Damian Gjiknuri, Etilda Gjoni dhe Anila Denaj. /abcnews.al/