Vrasja e biznesmenit në Laç, identifikohet një nga autorët

schedule18:03 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 18:03 - 10 Dhjetor, 2021

Policia ka mundur që të identifikojë një person që ka qenë pjesëmarrës në vrasjen në Laç. Ndërkohë, policia bën të ditur se autori i dyshuar është nisur me automjet drejt Elbasanit. Për këtë arsye në hyrje dhe daljet e Elbasanit janë duke u ngritur postblloqe.

Kujtojmë se Laçi u trondit mëngjesin e sotëm nga një ekzekutim me armë zjarri. Biznesmeni Rakip Roli u qëllua për vdekje teksa ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip “Audi”.

Dhjetë vite më parë, 55-vjeçari me banim ne fshatin Sanxhak ishte dënuar për një plagosje. Ai së bashku me tre të tjerët rrahën dhe goditën me mjete të forta 22-vjecarin me inicialet I.S.

Si u ekzekutua Rakip Roli?

Dy persona që kanë qenë duke lëvizur në këmbë i kanë dalë përpara automjetit që drejtohej nga biznesmeni dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri plumbash.

Si pasojë e plagëve Roli ka humbur kontrollin e automjetit. Fillimisht ai është përfshirë në aksident me një automjet tjetër dhe më pas ka përfunduar në një kanal pranë zonës ku ka ndodhur ekzekutimi.

Shërbimet e policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. /abcnews.al/