Manchester United ishte bindës pas fitores ndaj Arsenalit në Kupën e Anglisë. Trajneri Solskjaer është i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, ndërsa pret kontratën e re nga klubi.
Kanë kaluar gati 20 vjet që nga 25 Janari i vitit 1999. Atë ditë, pikërisht në Kupën e Anglisë, Manchester United mundi dhe eleminoi rivalin më të madh, Liverpool-in, falë golit të një sulmuesi norvegjez, të quajtur Ole Gunnar Solskjaer. Sot, Solskjaer është sërish heroi i “djajve të kuq”, veçse në stolin e trajnerit, duke e udhëhequr ekipin nga fitorja në fitore.
Suksesi 3-1 në fushën e Arsenalit, për Kupën e Anglisë, ishte i teti radhazi, në po kaq ndeshje që kur norvegjezi mori drejtimin e ekipit, pas shkarkimit të Jose Murinhos. Nëse duhej një konfirmim tjetër pas 7 fitoreve radhazi, ja ku erdhi fitorja në një duel klasik, madje në stadiumin “Emirates” të Londrës, si dhe kualifikimi për në të tetat e finales së Kupës.
“Shqetësimi im kryesor që kur erdha ishte që të zgjidhja formacionin, – u shpreh trajneri, – pasi kam një ekip plot me lojtarë shumë të mirë. Ndaj Arsenalit ishim më bindës, ishin një skuadër e vërtetë, e fortë në mbrojtje, dhe e aftë në kundërsulm. Dy javë më parë ndaj Tottenham-it, na shpëtoi De Gea, por këtë herë ishim shumë më mirë”.
“Daily Mail” shkruan se “Solskjaeri hedh autografe në fanelat e tifozëve, ndërsa kthehet në hotel në Mançester, me shanse më të mëdha për të qenë trajner me kohë të plotë”.
Aleksis Sanchez, i rikthyer si kundërshtar ndaj Arsenalit, shënoi golin e parë, Jessy Lingard realizoi të dytin për miqtë, ndërsa Pierre-Emerick Aubameyang shkurtoi diferencën për Arsenalin në fund të pjesës së parë. Pas pushimit, londinezët kërkuan barazimin, por United shfrytëzoi kundërsulmin duke mbyllur ndeshjen me golin e Antoni Martialit.
“Manchester United është tani ashtu siç duhet të jetë”, shprehet sulmuesi Lingard, që lavdëron trajnerin, dhe bën thirrje që tani të mundet skuadra më e mirë e Anglisë, Liverpooli.
United pati një tifoz të veçantë që u lumturua nga seria e fitoreve. Ky është Konor Mekgregor, ish-kampioni i arteve të përziera marciale, i cili ngriti në qiell Solskjaerin dhe lojtarët. “Djajtë e kuq” synojnë të fitojnë Kupën e Anglisë, por besohet se ëndrra më e madhe është të fitohet Championsi, pa harruar kualifikimin sezonin e ardhshëm për në Ligën e Kampionëve./abcnews.al