Ministria e Shëndetësisë padit në Gjykatë urdhrin e Stomatologut për vendimin për rritjen e tarifave të shërbimit. Por deputeti i PD Bardh Spahia thotë se Ministria ka votuar këtë vendim antiligjor. Verifikimi ka nisur nga Autoriteti i Konkurencës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çon në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologut që percakton listen e çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare.
Dërgimi në gjykatë i këtij vendimi argumentohet nga Ministria e Shëndetësisë me faktin se nuk është tagër i Urdhrit të Stomatologut caktimi i tarifave të shërbimeve.
Sipas Ministrisë, nuk do të ketë rritje tarifash sepse vendimi i Urdhrit të Stomatologëve është i paaplikueshëm.
Edhe Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të paditur në Gjykatë Urdhrin e Stomatologut. Deputeti Bardh Spahia në një status në FB shkruan se: “Ministrja e Shëndetësisë po u hedh hi syve pacipësisht, pasi votoi më 6 dhjetor vendimin antiligjor”.
Sipas PD-së, ministrja Manastirliu duhet të dalë vetë para Gjykatës si pjesë e atij vendimi.
Nga ana tjetër Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurat për vlerësimin e vendimit të Urdhrit të Stomatologut.
Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me vendimmarrje në mbledhjen e javës së ardhshme, nëse ky akt bie në kundërshtim me ligjin nga ana e Urdhrit të Stomatologut.
Urdhri i Stomatologut, me anë të një vendimi të bërë publik, ka vendosur që çmimet në klinikat dentare nga fillimi i vitit të shtrenjtohen nga 60 deri në 100%. /abcnews.al