Nga Krassen Nikolov & Zeljko Trkanjec “Euractiv”
Ndërkohë që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së po përpiqen të frenojnë valën e fundit në rritje të infektimeve me koronavirus, mijëra evropianë të apasionuar ndaj vaksinave po paguajnë shuma të ndryshme për t’u pajisur me certifikata të rreme për Covid-in, pa e marrë në realitet vaksinën përkatëse.
Mediat e kanë raportuar këtë çështje në një duzinë shtetesh, nga Gjermania, ku falsifikimet shiten në Instagram, në Austri, Itali dhe vende të Evropës Lindore dhe Ballkanit. Për një test të rremë apo për vërtetimin e rremë pa bërë vaksinën, çmimi varion nga 100 euro deri në 500 euro, ku ndonjëherë paguhet me kriptomonedha.
Gazeta kroate “Jutarnji list”, që është edhe partnere e rrjetit mediatik “EURACTIV”, këtë javë publikoi rezultatet e investigimit të bërë prej saj. Ky investigim zbuloi zyrat e disa mjekëve ku mund të blihen certifikatat false, teksa vaksina harxhohet formalisht duke u hedhur ne kosh.
Kjo metodë është e vështirë për t’u zbuluar, pasi gjithçka kryhet sipas procedurës standarte, përveç hapit të fundit, që është injektimi i vaksinës në krahun e qytetarit. Vaksina më e mirë për të realizuar një mashtrim të tillë është ajo e kompanisë Johnson & Johnson, pasi për certifikatën nevojitet vetëm një vaksinë.
Një kroat që bisedoi me gazetën“Jutarnji list”deklaroi në kushte anonimiteti se ai kishte “një neveri ndaj vaksinimit”. Por ai dëgjoi nga një miku i tij se gjithçka “mund të zgjidhet për 1000 kuna (130 euro)”. Dy javë më vonë, atij iu tha të shkonte në zyrën e një mjeku në bregdetin e Adriatikut.
Ai u regjistrua për vaksinimin, hyri në dhomën e mjekut, dhe paratë i kishte vendosur nën një bllok shënimesh, duke e lë në atë mbi një tavolinë, në një zone qorre që nuk shihet nga kamerat. “Më pas erdhi infermierja, e cila më tha të përvishja mëngët. Ajo mori një copë pambuku, e lagu me alkool dhe më pas mori një dozë të vaksinës Johnson & Johnson. Ajo e afroi pranë shpatullës time si për të më vaksinuar, por në realitet e derdhi jashtë pranë shpatullës sime. Më pas ajo futi të dhënat e mia në sistem, sikur të isha vaksinuar rregullisht”- tregon burri.
Vdekja e parë në Bullgari
Në kryeqytetin bullgar Sofje, një i ri me një certifikatë të rreme vaksinimi vdiq në spital më 26 nëntor. Dr.Lyudmil Shopov nga reparti Covid i spitalit në kryeqytet, tha se pacienti kishte refuzuar trajtimin me oksigjen, pasi kishte frikë se oksigjeni mjekësor do t’i dëmtonte mushkëritë.
27 vjeçari, pa asnjë sëmundje kronike të njohur, u tha në fillim mjekëve se ishte i vaksinuar dhe se zotëronte certifikatën përkatëse. Por gjendja e tij u përkeqësua seriozisht, dhe ai nisi të ketë probleme të rënda me frymëmarrjen, gjë që i nxiti mjekët ta vënë në dyshim vaksinimin e tij.
Pasi foli privatisht me një mjek, pacienti e pranoi se certifikata e tij e vaksinimit ndaj Covid-19 ishte e rreme. I pyetur se përse nuk ishte vaksinuar, ai tha se kishte frikë se vaksina mund ta bënte atë seksualisht impotent. “Ai nuk e kuptonte se sa i sëmurë rëndë ishte”-thanë mjekët.
Një vdekje e ngjashme u raportua në Rumani, ku një punonjës në shërbimin shëndetësor në Suceava (Rumaninë Verilindore) vdiq nga Covid-19 në fillim të muajit nëntor, dhe më vonë
u zbulua se ai ishte i pa vaksinuar, pavarësisht se zotëronte në dukje një certifikatë të vaksinimit. Burimet e EURACTIV në Bullgari, zbuluan se çmimi i zakonshëm i certifikatave të rreme të vaksinimit është 100-300 euro. Certifikata e falsifikuar 300 euroshe u shitet zakonisht të huajve, kryesisht atyre që vijnë nga Greqia Veriore.
Arrestimet e para
Policia bullgare ka kryer tashmë disa operacione speciale, gjatë të cilave janë arrestuar dhjetëra bullgarë të dyshuar për falsifikimin e dokumenteve të tillë.Ashtu si në Kroaci, disa mjekë bullgarë preferojnë që të përdorin vaksinën me një dozë të vetme të kompanisë Johnson & Johnson për të lëshuar certifikatën e rreme të vaksinimit.
Certifkata e vaksinimit është e detyrueshme për stafin e shumë bizneseve në të gjithë vendin. Mbrëmjen e 29 nëntorit, policia kreu një operacion special në dy spitale në qytetet e vogla Aenovgrad dhe Rakovski në Bullgarinë Jugore. Tre mjekë dhe një dentist u arrestuan, teksa në një nga makinat e tyre u gjetën disa certifikata false.
Po ashtu 2 mjekë janë arrestuar në Slloveni, po për lëshimin e certifikatave të rreme të vaksinimit, njoftoi agjencia STA, partnere e EURACTIV. Hetimi i policisë sllovene përfshiu më shumë se 100 hetues nga departamentet e policisë në 7 qytete, konfirmoi të martën Beno Meglic, kreu i hetuesve kriminalë të qytetit të Mariborit.
Në Gjermani, shumica e agjencive kriminal, kanë paralajmëruar kohët e fundit se tregtia me certifikatat false është shtuar ndjeshëm pas futjes në fuqi të ashtuquajturave kufizime 2G (i vaksinuar ose i shëruar nga Covid). Deri më27 nëntor, në Gjermani ishin zbuluar të paktën 2.500 raste të certifikatave të rreme, gjysma e tyre në landin e Bavarisë. Këto dokumente te rreme shiten përmes rrjetit social Instagram.
Në skajin tjetër të Evropës, në Shqipëri, një mësues tha për EURACTIV se të kërkosh një test PCR “për të udhëtuar jashtë,” është i ngjashëm me një fjalë të koduar që i sinjalizon mjekët që të mos e bëjnë testin siç duhet, por thjesht të fusin një tampon nën hundë.
“Unë njoh më shumë njerëz që kanë certifikatë false sesa ata që janë vaksinuar realisht”- tha mësuesi. Një burim i BE-së që ka dijeni mbi këtë çështje, deklaroi për EURACTIV se Komisioni Evropian kishte krijuar sistemin për certifikatat e vaksinave, në mënyrë që ato të njihen në të gjithë bllokun, brenda një kohe të shkurtër, por me standardet më të larta të mundshme të sigurisë.
Burimi tha se teknikisht, çdo vend ka një sistem të ndryshëm kontrolli për lëshimin e certifikatave. Ndaj vendet anëtare të BE-së, duhet të kontrollojnë më mirë qasjen në të, duke shtuar se mashtrimet në raste të tilla duhet të adresohen në nivel kombëtar, siç ka ndodhur tashmë në shume shtete.
Me më shumë se 710 milionë certifikata të lëshuara në Bashkimin Evropian deri më tani, shpjegoi burimi, mund të priten që të shihen përpjekje për mashtrime. Por sipas tij pa një certifikatë dixhitale, zbulimi i mashtrimit do të ishte i pamundur, nëse do të kishim vetëm një version në letër në gjuhë të ndryshme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al