Partizani rinovon zyrtarisht me trajnerin Skënder Gega. Kontrata e re vlen deri në vitin 2020, me rrogën e dytë më të lartë të një trajneri në Superligë.
U menduan mirë, por nuk iu drodh dora aspak kur vendosën. Drejtuesit e Partizanit rinovuan zyrtarisht kontratën me trajnerin e tyre, Skënder Gega, madje duke e vlerësuar lart.
Klubi kryeqytetas njoftoi arritjen e marrëveshjes me një lajmërim në faqën zyrtare në FB, dhe informoi se kontrata e re vlen për 1 sezon e gjysmë, deri në qershor të 2020-ës.
Më herët, Gega erdhi me një akord 6-mujor, që do të rishikohej në bazë të rezultateve. Sukseset e trajnerit, që mbylli fazën e parë të sezonit në krye të Superligës, bënë edhe që shpërblimi financiar të jetë i madh.
Burime brenda klubit bëjnë me dijë se rroga do të jetë 5 000 euro në muaj, me shumë gjasë, paga e dytë më e madhe e një trajneri në kampionatin shqiptar, pas asaj të Ilir Dajës tek Flamurtari.
Gjithsesi, kënaqësia për Gegën me siguri ka qenë përgjysmë, pasi ai ende nuk ka marrë lojtarët që I ka kërkuar klubit.
Ai pret për një qendërsulmues dhe një mbrojtës të djathtë, ndërsa koha tashmë mund të thuhet se ka kaluar, pasi të premten rinis Superliga me ndeshjen Skënderbeu-Partizani.
Kryeqytetasit thuhet se janë pranë sulmuesit Tomas Simkoviç, por ende nuk ka konkretizim të një marrëveshjeje.
Sidoqoftë, Gega mund të ndihet i kënaqur me fazën përgatitore, pasi skuadra u stërvit mjaft mirë, dhe bëri paraqitje me nivel në të tria ndeshjet miqësore ne Antalia. /abcnews.al