Protestat, Bardhi: Vendos mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve dhe Kryesisë

schedule22:44 - 21 Janar, 2019

schedule 22:44 - 21 Janar, 2019

Partia Demokratike gjatë pasdites së të hënës mblodhi në selinë blu kryesinë e re të kësaj force politike. E dalë pas votimit të Këshillit Kombëtar të shtunën e kaluar, kryesia e re e demokratëve u mblodh në seli rreth orës 18:30 në një mbledhje e cila zgjati rreth tre orë.

Në përfundim të takimit, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një deklaratë për media zbardhi vendimin e kryesisë. Kjo e fundit vendosi mbajtjen e një takimi të kolegjit të kryetarëve paraditen e së martës, një organ i ri statuor i Partisë Demokratike që në përbërje të tij ka krerët e degëve të Partisë Demokratike.

Do të jenë ata të cilët do të diskutojnë mbi strategjinë që do të ndiqet në udhëheqjen e protestave. Më pas do të vijë një tjetër mbledhje e kryesisë së kësaj force politike, pasditen e së martës, ku do të vendosen edhe specifikat e nisjes së protestave si forma dhe data kur do të nisin.

“Siç jeni në dijeni sot ishte mbledhja e parë e konstituimit të Kryesisë së re të PD. Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të PD që ngarkoi Kryesinë e re me organizmin e protestave popullore me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës. Sot Kryesia ka diskutuar mbi strategjinë e protestave që do ndjeki PD dhe opozita për realizim e kësaj vendimarrje të Këshillit Kombëtar. Vendimi është që nesër në orën 11:00 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, një organ i ri statutor i PD. Do diskutohet paraprakisht me ta mbi strategjine e protestave qe do ndiqen”./abcnews.al