“Qëndrimi i Kosovës ndaj Ballkanit të Hapur i gabuar”, Ymeri: I dëmshëm për zhvillimin e shqiptarëve

schedule22:38 - 26 Nëntor, 2021

schedule 22:38 - 26 Nëntor, 2021

Këtë të premte në emisionin “Tiranë-Prishtinë” u diskutua rreth problemeve që dy vendet i shkaktojnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit në aspektin ekonomik.

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri vlerëson se Kosova është duke gabuar me qëndrimin që po mban ndaj iniciativës së Ballkanit të Hapur. Sipas tij, qëndrimi që po mban Kosova është i dëmshëm për zhvillimin e shqiptarëve në përgjithësi.

“Nisma krijon mundësinë për bashkëpunim ekonomik që do të ishte i pandalshëm, e dobëson Tiranën si një prej qendrave të rajonit. Qeveria e Serbisë flet për gjithë serbët.”

Ymeri vlerëson se Kosova ka krijuar një identitet të sajin politik të cilit po i qëndron besnik dhe sipas tij tashmë “konflikti” qëndron në pyetjen se kush është qendra e shqiptarëve, Prishtina apo Tirana?

Sipas tij, qëndrimi i Prishtinës zyrtare është kontradiktor pasi argumenti i kundërshtimit të nismës është ekonomik, por kur bëhet fjalë për tregun e përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, qëndrimi është pozitiv.

“Ne po bëjmë një gabim të madh, gjeneratave të reja, studentëve nuk u afrojmë asgjë veç mekanizmave të identifikimit negativ…Edhe përmes ekonomisë ne do të fillonim të konceptonim pozitivisht. Frika tregon sa mosbesim kemi në aftësitë tona.”

Të njëjtin mendim me Ymerin ndan edhe eksperti i ekonomisë Selami Xhepa ndërsa shton se është kritik për faktin që “Open Balkan” është një grup më i vogël i zonës ekonomike që krijohet me procesin e Berlinit.

“Ajo që unë jam kritik ndaj Ballkanit të Hapur është se nëse nuk bëhet zona ekonomike për Procesin e Berlinit, krijohet një grup më i vogël. Dhe, ata që s’duan të bashkohen i lë jashtë, dhe ata që duan i lë brenda.”

Sipas tij, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë duhet të jetë i fortë, që pastaj të bashkuar mund t’i bëjnë ballë konkurrencës. /abcnews.al/